Një lloj i çmendurisë dhe i marrëzisë së njeriut është të përmendurit e shpeshtë të së kaluarës, nostalgjia për të, dëshira që ajo të kthehet dhe pikëllimi për të. Në këtë mënyrë mbytet vullneti dhe shkatërrohet realiteti në të cilin jetojmë.
Për njerëzit e mençur libri i së kaluarës është i mbyllur dhe më nuk çajnë kokën për të. E kaluara është e mbyllur përgjithmonë në burgun e harresës e lidhur me pranga të forta. Më nuk ka për të dalë, e as ta shikojë dritën e diellit, sepse është e shkuar, diç e mbaruar. Pikëllimi nuk e kthen dot, brenga dhe vuajtja nuk e përmirësojnë, nuk e drejtojnë e as nuk e ngjallin. E shkuara thjesht nuk ekziston, andaj mos jeto në ankthin e së shkuarës, nën hijet e kaluara. Shpëto dhe braktis fantazmën e së kaluarës.
Mos dëshiron ta kthesh lumin në burim, diellin në lindje, fëmijën në barkun e nënës, qumështin në sisë dhe lotin në sy?
Nëse vuan për të kaluarën dhe për këtë je i shqetësuar e i pikëlluar, atëherë gjendja jote është brengosëse, e gjorë dhe e dhembshme. Nëse i shfleton faqet e së kaluarës, e humb të tanishmen, e shkatërron mundin dhe e shpenzon kot kohën e çmuar. Duke përmendur popujt e kaluar, Allahu i lartësuar thotë:
"Ky popull ka ekzistuar dhe është zhdukur."[1]
Kjo do të thotë që diçka ka qenë, ka shkuar, andaj nuk ka kurrfarë dobie të gjurmojmë në kërmën e kohës së shkuar, e të përpiqemi ta kthejmë rrotën e historisë. Ai që i kthehet së kaluarës është i ngjashëm me mullisin i cili e bluan grurin tashmë të bluar, ose druvarin i cili pret ashklat.
Që ngaherë, atij që qan për të kaluarën i kanë thënë: "Të vdekurit nuk ngrihen nga varrezat."
Transmetohet gjithashtu që dikur e kishin pyetur gomarin: "Përse nuk përtypesh?"
Kurse ai ishte përgjigjur: "Nuk dua të gënjej."
Fatkeqësia jonë është se i dorëzohemi të shkuarës dhe kështu e humbim të tashmen, në vend se të ndërtojmë pallate të bukura, imagjinojmë tendat e lashta. Por edhe sikur të tubohen të gjithë njerëzit dhe xhinët për ta kthyer atë që ka kaluar, nuk do t’ia dilnin, ngase kjo vetvetiu është e pamundur.
Njerëzit nuk shikojnë anash dhe nuk kthejnë kokën prapa, ngase era fryn drejt, lumi dhe karvani shkojnë përpara. Prandaj, mos e kundërshto ligjin e jetës.