Bamirësia ndaj njerëzve është njëra prej rrugëve të gjera të lumturisë. Në një hadith autentik kudsij i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), me fjalët e transmetuara nga Allahu i lartësuar, thotë:
“Allahu në Ditën e Gjykimit do të thotë: 'O njeri, kërkova të Më ushqesh, por ti nuk më ushqeve. 'Zoti im, si mund të ushqej kur Ti je Zoti i botëve?' 'Filan fistek robi im të kërkoi ta ushqesh, por ti nuk e ushqeve. Po ta ushqeje, do ta gjeje këtë te Unë.' ‘O njeri, të kërkova të Më shuash etjen, por ti nuk ma shove.’ 'Zoti im, si mund ta shuaj etjen kur Ti je Zot i botëve?' 'Filan fistek robi Im kërkoi t’ia shuash etjen, por ti nuk ia shove. Sikur do ta t’ia shuaje, do ta gjeje këtë te Unë.' 'O biri i Ademit, u sëmura, por ti nuk Më vizitove.’ ‘Zoti im, si mund të vizitoj Ty kur Ti je Zoti i botëve?' 'Filan fistek robi Im ishte sëmurë, por ti nuk e vizitove. Sikur ta vizitoje, do të më gjeje Mua tek ai.”
Vëmendje të posaçme duhet kushtuar në fjalët e fundit të hadithit, ku Allahu thotë: “Do të më gjeje Mua tek ai.” Këtu nuk është përdorur përgjigja si për ushqim dhe pije, kur Zoti ka thënë: “Do ta gjeje këtë te Unë.” Ky dallim paraqitet për faktin se Allahu është pranë zemrave të thyera, siç është rasti me të sëmurin.
Gjithashtu transmetohet një hadith në të cilin është thënë: “Vesa e shpërblimit shëron të gjitha plagët.”
Është shumë e dobishme të kujtojmë laviren nga populli i Israilit të cilën Allahu e nderoi me Xhenet ngase i kishte dhënë ujë një qeni të etur.
E çfarë është pra rasti me ata të cilët i ushqejnë vazhdimisht të uriturit, që u japin ujë të eturve, ndihmojnë në situata të vështira dhe ua largojnë telashet njerëzve?!
Edhe në një hadith tjetër autentik i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), na nxitë për vepra të mira me fjalët:
“Ai që ka pak furnizim duhet ta ndihmojë atë që nuk ka; ai që ka shtazë kalërimi duhet ta ndihmojë atë që është pa të.”
Një poet i njohur, i quajtur Hatim ka deklaruar:
Nuk vrapoj të grumbulloj pasuri,
por me vëllezërit atë ta ndajë.
Nëse ke shtazë kalërimi,
mos e lë shokun të ecë këmbë.
Nëse mund t’u bartë të dyve,
atëherë është shtazë e vërtetë.
Po nëse nuk mundet,
Allahu do të japë mirësi.
Shërbëtorit të vet i kishte thënë:
Na ndiz zjarrin ngase nata është e ftohtë,
nëse na vjen ndonjë mysafir, ti je shpirt i lirë.
Gruas ia kishte kënduar këto vargje:
Nëse na ke përgatitur ndonjë gjellë, gjeje dikë
që do ta hajë, ngase unë në sofër s’ulem vetëm.
Prej tij transmetohen fjalët vijuese:
Të gjitha ta mirat do të zhduken e të treten,
e do të mbetet vetëm kujtimi për to.
Ç’i duhen njeriut thesaret e shkëlqyera,
nëse zemra i vdes në pikëllim.
Pasuritë nuk na kanë siguruar famë te të afërmit,
kurse skamja nga miqtë nuk na ka ndarë.
Urve ibën Hazami ka deklaruar:
Më përqesh për shkak të rraskapitjes dhe të
fytyrës së bardhë që kam, por është e vërteta që më lodhi.
Trupin tim unë, me të tjerë e kam ndarë,
është uji i ftohtë që më, ngujoi.
Transmetohet që Ibën Mubareku e kishte një fqinj hebre të cilit i jepte ushqim para se t’ia ofronte fëmijëve të tij. Njësoj vepronte edhe me veshmbathjet, së pari i blinte atij, pastaj familjarëve të vet. Njëherë disa njerëz e pyetën atë hebreun se nëse do ta shiste shtëpinë. Ai u tha:
"E shes për dymijë dërhemë, njëmijë është vlera e shtëpisë, e njëmijë për shkak të fqinjësisë së Ibën Mubarekut."
Kur këtë e dëgjoi Ibën Mubareku, iu lut Allahut që fqinjin e tij ta drejtojë në Islam. Allahu ia plotësoi lutjen dhe fqinji i tij e pranoi Islamin.
Për këtë njeri të shquar transmetohet që gjatë kohës së udhëtimit në haxhillëk me karvan e kishte parë një grua duke marrë një korb të ngordhur nga plehu. Ai dërgoi një të ri që të interesohet për atë situatë. Ai u kthye duke i transmetuar fjalët e gruas e cila kishte deklaruar: "Nuk kemi çka të hamë tash tri ditë, kështu që mbledhim gjithçka që gjejmë."
Pas këtyre fjalëve nga sytë filluan t’i rrjedhin lot. Urdhëroi që të gjithë pjesëtarët e karvanit t’i japin lëmoshë atij fshati, pastaj u kthye pas për të mos e kryer haxhillëkun atë vit. Pas kësaj në gjumë dëgjoi një zë: "Të qoftë për hair haxhillëku, ibadetet e pranuara dhe mëkatet e falura."
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
"Edhe atyre të cilët Medinën e zgjodhën për jetesë dhe e bën shtëpi të fesë së vërtetë akoma para tyre; këta i duan ata që migrojnë dhe nuk ndiejnë asnjë vështirësi në gjoks, se u jepet dhe dëshirojnë më shumë për ta se për vete, ndonëse edhe ata kanë nevojë. Ndërsa ata që ruhen nga mendjelehtësia, me siguri do të kenë sukses."[1]
Ibën Mubareku ka qenë vërtet prej atyre që ua dëshirojnë të mirat materiale më shumë të tjerëve se vetvetes, ndonëse edhe vetë kanë nevojë.
Një poet ka deklaruar:
Dua t’i ndihmoj njerëzit,
qofshin edhe shumë larg.
Dua ta ndihmoj, telashin t’ia largoj,
t’i përgjigjem lutjeve të tij.
E kur të vishet me rroba të bukura,
nuk dua të them: 'Eh, sikur t’i kisha unë.'
O Allah Mëshirëplotë, sa shembull i bukur dhe model i edukatës! Sa të përsosura janë vetitë që i posedojnë këta njerëz dhe që burojnë nga shpirti i tyre! Sa të bukura janë mendimet dhe veprat e tyre!
Askush kurrë nuk është penduar për shkak të bamirësisë, edhe nëse e ka tepruar. Pendimi dhe keqardhja janë gjithnjë për shkak të veprave të këqija, edhe nëse janë të pakta.
Poeti ka deklaruar:
Sado kohë që kalon e mira mbetet përgjithnjë,
kurse e keqja është e shëmtuar sado që e zbukuron.