Dijetari Ali Tantavi citon një rrëfim shumë interesant për vdekjen dhe rrugët e saja të çuditshme. Në Siri një vozitës i makinës për shërbimet mortore e mori një udhëtar të rastit dhe e vendosi në rimorkio në të cilën gjendej një arkivol i zbrazët. Ndërsa po voziteshin, filloi të binte shi andaj udhëtari u strehua në tabut që të mos lagej. Pas disa momentesh në rimorkio hipi një udhëtar tjetër dhe u ul pranë tabutit duke pandehur se është i zbrazët. Mirëpo, burri që ndodhej në tabut deshi të shikonte nëse kishte ndaluar shiu andaj nxori dorën nga tabuti dhe e tundi atë. Natyrisht, as ai nuk e dinte se ishte edhe dikush tjetër në rimorkio. Kur udhëtari i dytë pa dorën që tundej duke dalë nga tabuti, u shtang nga frika e paniku, kërceu nga rimorkioja, ra me kokë dhe mbeti i vdekur në vend.
Kështu Allahu e kishte caktuar vdekjen e këtij njeriu dhe ai s’ka mund t’i shpëtojë.
Çdo gjë e gjallë është përcaktim i Tij,
dhe nuk ka mësim më të madh se vdekja.
Njeriu duhet ta ketë ndërmend gjithnjë se vdekja është afër, se ai shkon drejt saj dhe e pret atë çdo mëngjes e mbrëmje. Dëgjoni vetëm këto fjalë të bukura dhe plotë porosi të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili deklaron: "Ahireti është ai që na vjen në takim, ndërkaq,dynjaja, na kthen shpinën dhe na kalon. Andaj bëhuni bijtë e ahiretit, e jo të dynjasë. Sot punojmë pa dhënie të llogarisë. Nesër do të japim llogari pa mundësi të bëjmë diç tjetër."
Këto fjalë na tregojnë se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka qenë njeri i cili është përgatitur për vdekje, ka punuar në përmirësimin e gjendjes së vet, është penduar dhe ka ditur se si të sillet ndaj Zotit të Mëshirshëm dhe Fisnik.
Vdekja nuk e pret asnjërin, askujt nuk i jep proteksion dhe kohë. Ajo nuk paralajmërohet e as që tregon se do të vijë, ajo vetëm vjen.
"Kurse njeriu nuk e di çka do të arrijë nesër dhe nuk e di në cilin vend do të vdesë; Allahu, më siguri, di çdo gjë dhe është i informuar për gjithçka."[1]