Thotë Allahu i lartësuar: "Thuaj: Udhëtoni nëpër Tokë."
Udhëtimi nëpër botë, hulumtimi i planetit të Tokës dhe ikja nga vetmia e izolimi është ilaç i cili të mbushë zemrën dhe e largon errësirën, pikëllimin dhe telashet. Shiko librin e kozmosit i cili është i hapur para teje, e do të shohësh se si penat e fuqisë dhe të përcaktimeve shkruajnë në faqet e tij argumentet e mrekullueshme. Do të vëresh kopshte të bukura dhe fusha harmonike plot bukuri e shkëlqim.
Dil nga shtëpia dhe mendo thellë për atë që të rrethon, çka ndodhet para dhe prapa teje. Ngjitu në kodër, vizito lugina, shiko në kurorat e pemëve, pi ujë të freskët, merru erë luleve të jaseminit. Kështu shpirti yt do të ndjejë lirinë origjinale dhe të vërtetë si bilbili i cili me këngën e tij mallëngjyese humbet duke fluturuar në hapësirën e gjithësisë. Dil nga shtëpia, hiqe perden e zezë nga sytë dhe nisu hapësirave të pafund të Allahut, duke madhëruar dhe lavdëruar emrin e Tij.
Izolimi në dhomat e ngushta, të dorëzuarit heshtjes së kobshme, është rrugë e suksesshme drejt shkatërrimit. Dhoma jote nuk është e gjithë bota, as ti nuk je i gjithë njerëzimi.
Atëherë, përse po i dorëzohesh errësirave të pikëllimit?
Le të bërtasin trupi dhe shpirti yt:
"Nisuni në luftë, qofshi të dobët apo të fortë!"
Prandaj, ulu dhe përsiat për Kuranin afër përroit dhe në kopshte, nën pemë në të cilat zogjtë këndojnë këngë dashurie dhe afër ujit, i cili i largon rrëfimet e hidhura.
Me të vërtetë pushimi në hapësirat e Tokës është gjë e mirë që ua preferojnë edhe mjekët atyre që kanë sëmundje shpirtërore, të cilët kanë angështi. Prandaj, vëllai im, të nisemi, të udhëtojmë, duke u gëzuar dhe duke u menduar me kujdes.
"Në krijimin e qiejve dhe të Tokës edhe në zëvendësimin e natës dhe të ditës, më të vërtetë, ka shenja për ata që kanë mend, për ata të cilët e përmendin Allahun edhe në këmbë, edhe ulur, edhe të shtrirë dhe mendojnë për krijimin e qiejve dhe Tokës. Zoti ynë, Ti këtë nuk e ke krijuar së koti; madhëruar qofsh dhe na ruaj nga dënimi në Zjarr!"