Njeriu i cili tërë jetën e kalon në mënyrë monotone meriton të sëmuret nga mërzia, ngase shpirti nuk e do monotoninë dhe mërzinë. Njeriu për nga natyra është i prirë për të qenë i mërzitur nëse çon jetë monotone. Prandaj Allahu i Madhërishëm krijoi vende të ndryshme, vise, kohë, ushqime, pije, krijesa, net, ditë, male, lugina, ngjyra, ngrohtësinë, të ftohtin, ëmbëlsinë dhe hidhësinë. Këto llojllojshmëri dhe dallime Allahu i përmend në Librin e Tij:
"Ai që krijoi qiejt dhe Tokën dhe i Cili ju lëshon nga qielli shiun përmes të cilit ne bëjmë që të gjelbërohen kopshte të mrekullueshme – është e pamundur që ju të bëni të mbijnë pemët e tyre. – Vallë mund të ketë zot tjetër pos Allahut? Nuk ka, por ata janë popull i cili i barazon të tjerët me Atë."
"Në Tokë ka vise të cilat kufizohen njëra me tjetrën edhe kopshte ka me hardhia të mbjella, edhe ara, edhe palma me shumë filiza edhe vetëm me një; ndonëse pinë një ujë të njëjtë, frytet e njërit i bëjmë më të ëmbël se të tjerëve. Këto janë vërtet argumente për njerëzit që kanë mend."
"Ai është i Cili krijon vreshta, të mbështetura dhe të pambështetura, edhe palma dhe të mbjella shijesh të ndryshme, edhe ullinj e shega, të ngjashme dhe të ndryshme – hani frytet e tyre sa herë të japin fryte dhe jepeni ditën e të korrave dhe të vjeljes atë që është e drejtë e të tjerëve, por mos jeni shkapërdares, ngase Ai nuk i do shkapërdarët."
"Si nuk e di që Allahu lëshon ujë nga qielli dhe se Ne përmes tij krijojmë fryte llojesh të ndryshme; por ekzistojnë male me shtigje të bardha e të kuqe, ngjyrash të ndryshme, edhe tërësisht të zeza. Ka edhe njerëz, edhe shtazë, edhe bagëti, gjithashtu, llojesh të ndryshme. Kurse nga Allahu kanë frikë prej robërve të Tij – të diturit. Allahu, me të vërtetë, është i fortë dhe Ai falë mëkate."
"Nëse ju jeni plagosur, edhe të tjerët janë plagosur. Kurse në këto ditë Ne ua japim fitoren herë njërës, herë palës tjetër, në mënyrë që Allahu t’i tregojë ata që besojnë dhe t’i zgjedhë disa prej jush si shehid – kurse Allahu nuk i do jobesimtarët."
Popullit të Israilit i ishte mërzitur ushqimi i mirë, ngase një kohë të gjatë e kishin ngrënë vetëm atë.
"Dhe kur deklaruat: O Musa, nuk mund më ta hamë vetëm një ushqim të njëjtë!"
Kalifi Me’mun lexonte nganjëherë ulur, nganjëherë i shtrirë, nganjëherë duke ecur apo shëtitur dhe deklaronte: "Shpirti është i prirë të mërzitet."
"Ndërsa kur ta kryeni lutjen, përmendeni Allahun, edhe në këmbë, edhe ulur, edhe të shtrirë. Kurse kur jeni të sigurt namazin kryeni të plotë, ngase besimtarëve u është përcaktuar që të kryejnë lutje në kohë të caktuar."
Ai që mendon vërtet për adhurim do të vërejë në to dallime dhe llojllojshmëri të shumta. Ekzistojnë vepra të mira që kryhen me zemër, deklarohen me gjuhë dhe ato veprime që i kryejmë me trup apo ato që lidhen me pasuri. Ato janë namazi, zeqati, agjërimi, haxhi dhe xhihadi. Edhe në namaz kemi llojllojshmëri, kështu gjatë tij qëndrojmë në këmbë, bëjmë sexhde dhe ulemi. Kush dëshiron të jetë gjithnjë i freskët. I zellshëm, produktiv dhe i pushuar duhet të kryejë vazhdimisht gjëra të ndryshme. Kështu, për shembull, kur lexojmë dhe kemi një tematikë, lexojmë për arte të ndryshme, Kuran, tefsir, biografinë e të Dërguarit, hadith, fikh, histori, letërsi, por edhe vepra nga fusha e diturisë dhe e kulturës së përgjithshme.
Në këtë kohë të llojllojshme duhet t’i përkushtohesh edhe adhurimeve dhe gjërave të tjera të lejuara. Nga ana tjetër, duhet shkruar në vizita, të pranosh mysafirë, të merresh me sport, të shëtisësh. Vetëm kështu do ta freskosh shpirtin dhe ta bësh atë aktiv ngase ai e kërkon llojllojshmërinë, ndryshimin dhe risinë.
Njerëzit që i dorëzohen dëshpërimit
dhe pikëllimit jetojnë dy ditë të pashpresa.
Të parën e mallkojnë vdekjen e vuajtjet,
në të dytën vajtojnë për ndihmën e njerëzve.