Sad ibën Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), shok i të Dërguarit i cili hyn në dhjetë prej atyre personave të cilëve u është premtuar Xheneti duke qenë gjallë, ka pasur dëshira të bukura dhe të matura, dhe Allahu ia plotësonte çdo lutje. I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), u lut për të që të jetë shigjetar i mirë dhe t’i plotësohet çdo lutje.
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), i kishte dërguar disa shokë për të verifikuar nëse Sad ibën Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), po administronte me drejtësi në Kufe. Të gjithë njerëzit atje e lavdëruan shumë Sadin (Allahu qoftë i kënaqur me të), por, kur hynë në xhaminë e lagjes Beni Absa, një njeri u tha: "Nëse më pyesni për Sadin, do t’u tregoj se ai nuk gjykon drejt, nuk administron me ndershmëri dhe nuk është në raporte të mira me popullin."
Kur këtë e dëgjoi Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të), deklaroi: "O Zoti im, nëse kjo është thënë nga hipokrizia, verboje atë njeri, bën që ta arrijë pleqërinë e thellë dhe të përballet me shumë vështirësi."
Dhe vërtet, ky njeri jetoi gjatë, u verbua dhe gjithnjë kishte probleme në rrugët e Kufes. Për të flitej se ishte plak me vuajtje të përhershme të cilin e kishte zënë duaja e Sadit.
Kjo tregon për nivelin e lidhjes me Allahun e madhërishëm, pastërtinë e qëllimit dhe besimin te Zoti. Madhëruar qoftë Allahu.
Në librin Sijer Alam en-nubela gjithashtu theksohet një episod nga jeta e Sadit (Allahu qoftë i kënaqur me të). Thuhet që një njeri e shante dhe e përgojonte Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të), andaj Sadi, u ngrit në mbrojtje të tij dhe kërkoi nga njeriu të mos e bënte këtë. Mirëpo, ai vazhdoi të shante. Pastaj Sadi, deklaroi: "O Zot, dënoje si të duash."
Më pas ky njeri përfundoi turpshëm nën këmbët e një karvani dhe vdiq nga vuajtjet më të rënda.
"Ne, me siguri, do të ndihmojmë të Dërguarit Tanë dhe besimtarët në jetë në këtë botë, por edhe Ditën kur të ngrihen dëshmitarët."[1]
Tani do të përmend disa rrëfime edukative në mënyrë që besimi yt të shtohet dhe të fuqizohet lidhja jote me Zotin. Përmes tyre do të shohësh sa shumë i madhërishëm dhe i mirë është Allahu. Ai ka thënë:
"Më thirrni, Unë do t’u përgjigjem."[2]
"E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam, me siguri, afër: i përgjigjem lutjes së lutësit kur Më lutet. Prandaj le ta plotësojnë ata kërkesën Time dhe le të besojnë te Unë, që të jenë në Rrugë të drejtë."[3]
Një herë Haxhaxhi e kishte kërkuar Hasan el-Basriun për ta burgosur. Hasani iu përgjigj dhe u nis në takim duke menduar vetëm për Allahun dhe duke pasur vetëm Atë si mbrojtës. Rrugës i drejtonte lutje Allahut dhe e përmendte emrin e Tij. Kur arriti para Haxhaxhit, zemra e këtij gjakpirësi ishte plot frikë dhe kishte ndryshuar tërësisht. Ai doli përpara Hasanit, e vendosi në minder afër vetes, e lavdëroi dhe bisedoi me të miqësisht.
Kjo është vetëm ndihma dhe mëshira e Allahut të Madhërishëm.
Mëshira dhe mirësia e Allahut rrjedh në dejtë e kësaj bote, nëpër venat e njerëzve, shtazëve, tokës dhe të deteve. Ajo është prezentë në ditë e natë.
"Çdo gjë e gjallë e madhëron Allahun, por ju këtë nuk e kuptoni. Ai është vërtet i mirë dhe plotë mëshirë."[4]
Dihet me siguri që Sulejmani (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), e ka ditur gjuhën e shtazëve dhe të shpezëve. Kështu një herë ishte nisur në xhami për t’ua mësuar njerëzve lutjen e shiut dhe rrugës vërejti një milingonë duke u lutur. Kur arriti në xhami, deklaroi: "O njerëz, shkoni në shtëpi, mjafton që ka të tjerë, krahas jush, që i luten Allahut."
Pas kësaj filloi të bjerë një shi i begatë, e krejt kjo për shkak të një milingone të vockël gjuhën e cilës e kuptonte Sulejmani (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) për këtë rast janë të lidhur ajetet vijuese:
"Dhe kur arritët te lugina e milingonave, një milingonë bërtiti: 'O milingona, hyni në banesat tuaja që të mos u shtypë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa u vërejtur juve fare!' Dhe ai qeshi me të madhe për këto fjalë dhe deklaroi: 'Zoti im, më mundëso të falënderoj për të mirën Tënde, që ma dha mua dhe prindërve të mi, dhe të kryej vepra të mira për kënaqësinë Tënde, si dhe më fut, me mëshirën Tënde, në mesin e robërve të Tu të mirë!'"[5]
Shpesh jemi dëshmitarë të mëshirës së Allahut e cila vjen për shkak të disa krijesave të vockla dhe të pafuqishme.
Ebu Jala transmeton një hadith kudsij në të cilin Allahu i lartësuar thotë: "Po të mos ishin pleqtë që falen, fëmijët që janë në gji dhe shtazët që kullosin, do të ndaloja t’u bjerë qoftë një pikë shi nga qielli."