Një ditë më ra ndër mend një ide shumë interesante lidhur me komentimin e Kuranit. Mblodha rreth vete 12 komete të ndryshme të Kuranit, si atë të: Taberit, Ibën Kethirit, Begavit, Zemahsherit, Kurtubiut, Kutbit, Shenkitit, Raziut, Ebu Mesudit, Kasimit, Hazinit dhe Fet’hul-Barin. Vendosa që çdo ditë të lexoj një hadith prej secilit prej komenteve të përmendur për t’u pasuruar me njohuri për Kuranin. Kështu shkoja me radhë gjersa për një kohë i lexova të dymbëdhjetë komentet e Kuranit.
Pas kësaj pyeta veten: "Çka më ka mbetur prej krejt kësaj në kokë?"
Fatkeqësisht, nuk kam kujtuar asgjë të re. Këto ishin gjëra të cilat pak a shumë i dija që më përpara.
Nga ana tjetër, isha shumë i hutuar dhe i dëshpëruar ngase nuk e realizova një qëllim të mirë.
Arsyeja e hutimit dhe disfatës sime ishte mungesa e organizimit dhe e planifikimit të materialit dhe të kohës që e shpenzova gjatë leximit të 12 komenteve të Kuranit. Krejt këtë e kisha bërë krye në vete, pa plan dhe pa kurrfarë rendi.
Prandaj, nëse dëshiron të jesh i qetë dhe i lumtur, mos u lodh me shumë burime dhe libra që duhet lexuar njëkohësisht, ngase do të turbullohet mendja dhe do të lodhet zemra. Më mirë të lexohet një material, por në mënyrë studioze dhe thellësisht. Kjo do të mbrojë nga nxitimi dhe ngopja. Pastaj, do të përfitosh shumë nga kjo qasje ndaj librit. Pos kësaj, koha dhe vëllimi i materies duhet planifikuar mirë që të lexohet në kohën e duhur.
Ai që është i vendosur, ai gjithmonë ia del, madje edhe nëse punon pak. Edhe i Dërguari ka thënë se vepra më e mirë është ajo që zgjatë më së shumti, edhe nëse është fare e vogël.