Njerëzit bjerrakohës mes nesh përhapin lajme të rreme dhe përgojojnë, ngase truri i tyre është i paangazhuar. Janë të kënaqur të qëndrojnë me ata që nuk angazhohen.
"Kënaqen të jenë me ata që nuk shkojnë në luftë, zemrat e tyre janë të vulosura e ata nuk e kuptojnë!"
Kur njeriu nuk punon, mendja e tij nuk është më produktive dhe i ngjan makinës që del jashtë kontrollit dhe ngarend gjithandej pa vozitës.
Nëse ndonjëherë ndjehesh bosh dhe i papunë, duhet të merakosesh shumë, sepse do të vijnë në mend të gjitha imazhet nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Këshilla ime është që në situata të tilla t’i përkushtohesh ndonjë pune produktive. Kjo është më mirë se sa të gjurmosh në të shkuarën, ngase ajo ka kaluar dhe prej saj nuk ka më dobi.
Kotësia është sikur dënimet e ngadalshme që aplikohen në burgjet e Kinës, ku të burgosurin e vendosin nën një enë në të cilën çdo minutë pikon nga një pikë, në momentet e pritjes së pikës të burgosurit çmenden.
Papunësia është e njëjtë me shkujdesjen, ndërsa ajo është si një hajn me përvojë, viktima e të cilit është mendja jote. Andaj fillo që tani, falu, lexo Kuran, përmende Allahun, studio, shkruaj, rregullo tavolinën e punës, shtëpinë, ose ndihmo të tjerët duke e përmbushur kohën e lirë.
Prite kotësinë me shpatën e zellit. Kështu do të fitosh 50% të lumturisë për vetëm një vepër, e këtë ta garantojnë të gjithë mjekët e kësaj bote. Shiko se si fshatarët, bukëpjekësit e ndërtuesit gjithnjë këndojnë nga lumturia si zogj, ndërkohë që ti qëndron i shtrirë në shtrat i shqetësuar dhe me lot.