Dita është vetëm e jotja
Aid el Karn
Dita është vetëm e jotja
O njeri, kur të zgjohesh, mos e prit natën. Do të jetosh vetëm këtë ditë, jo të kaluarën e cila ka shkuar bashkë me të mirën dhe të keqen tënde, e as të ardhmen e cila tek duhet të vijë. Dielli me siguri do të ngrohë vetëm sot. Dije se gjithë jeta jote është përkufizuar në një ditë. Andaj të gjitha mendimet tuaja i përqendro vetëm në ditën e sotme, sikur je lindur në të dhe do të vdesësh në të.
Në të kundërtën jeta jote do të jetë në udhëkryq midis opsesionit për të shkuarën, brengat dhe telashet e saj, e pritjes së të ardhmes, fantazmave dhe mirazheve pasionante të saj. Tërë koncentrimin, përpjekjen, kreativitetin dhe zellin orientoje vetëm për ditën në të cilën jeton.
Sot duhet t’i kryesh lutjet, të lexosh hollësisht dhe ta kuptosh Kuranin, të mësosh me themel, ta përmendësh Allahun me zemër, të jesh i matur në të gjitha gjërat, i matur në sjellje me njerëz, i kënaqur me atë që e ke, të kujdesesh për pamjen tënde, ta ruash shëndetin dhe të jesh në dobi të tjerëve.
Në ditën në të cilën jeton, sistemoje kohën. Nga një minutë bëje një vit, nga sekondat - muaj. Në të mbjell mirësi, jep shembull të mirë, kërko falje për mëkate, kujto Zotin, përgatitu për rrugën në botën tjetër.
Në këtë ditë jeto i lumtur dhe i gëzuar, i qetë dhe i sigurt, kënaqu me furnizimin që të është dhuruar, me gruan, fëmijët, punën, shtëpinë, diturinë dhe pozitën në të cilën je.
"Merre atë që po ta jap dhe ji mirënjohës për të!"
Këtë ditë kaloje pa pikëllim, shqetësim, zemërim dhe lakmi.
Skalit në zemër një fjali dhe ta kesh në mendje gjithnjë: "Kjo ditë është vetëm e jotja."
Kur ta hash bukën e ngrohtë dhe të freskët sot, dëm nuk do të kesh nga buka e ftohtë dhe e mykur e djeshme, as nga ajo e nesërme që e pret.
Përse po pikëllohesh për ujin e papijshëm të djeshëm, edhe brengosesh për atë të nesërm, kur pi ujin e freskët dhe të mirë sot?
Nëse në shpirtin tënd mbjell vullnet të pathyeshëm dhe të fortë, ajo do ta pranojë faktin që "jeton vetëm sot". Atëherë do të shfrytëzoje çdo moment të kësaj dite që për vete ta ndërtosh, shfrytëzosh talentin dhe ta përmirësosh punën.
Prandaj thuaj: Sot do të flas vetëm mirë, nuk do të shaj, nuk do të fyej, nuk do të flasë fjalë të pahijshme e as që do të përgojoj të tjerët. Vetëm për këtë ditë do ta rregulloj shtëpinë, sepse nuk dua parregullsi dhe tollovi por rregull dhe pastërti.
Vetëm për të sotmen jetoj, andaj do të kujdesem për pastërtinë e turpit, për rregullimin e fizionomisë sime dhe për maturi në sjellje, në ecje dhe në fjalë.
Vetëm për të sotmen jetoj, andaj do të përpiqem që t’i bindem Zotit tim, që t’i kryej lutjet sa më mirë, të kryej sa më shumë vepra të mira, të shoqërohem sa më shumë me Kuran dhe të lexoj e studioj ndonjë libër të dobishëm.
Vetëm për të sotmen jetoj, prandaj në zemrën time do të mbjell farën e së mirës dhe do ta pastroj nga barojat, nga të këqijat dhe nga mëkati, do e zhvesh nga mendjelartësia, egoizmi, hipokrizia, lakmia, urrejtja, smira dhe mendimet e këqija.
Vetëm për të sotmen jetoj, andaj do të jem i dobishëm për të tjerët, do të bëhem shembull për të mirë, do ta vizitoj të sëmurin, do të përcjell xhenaze, do ta drejtoj të humburin, do ta ushqej të uriturin, do ta ndihmoj njeriun në nevojë, do ta mbroj atë që i bëhet e padrejtë, do të ndërhyj për të dobëtit, do ta ngushëlloj fatkeqin, do të tregoj respekt për dijetarin, do të jem i mëshirshëm ndaj të rinjve dhe do të nderoj të moshuarit.
Vetëm për të sotmen jetoj, kurse e shkuara ka përfunduar, është zhdukur, ka perënduar si dielli. Prandaj nuk do të qaj më për të, nuk do t’i kushtoj asnjë moment të vëmendjes sime ngase na ka braktisur, ka shkuar dhe nuk do të kthehet kurrë më.
Kurse sa i përket të ardhmes, ajo është mister, andaj nuk dëshiroj të lodhem me fantazi dhe me ëndrra, nuk do t’ia dorëzoj shpirtin iluzioneve, ngase e nesërmja s’është asgjë, ende nuk është krijuar, e as që ka ndonjë kujtim.
O njeri, kjo ditë është vetëm e jotja. Sa e bukur është kjo fjali që ndodhet në fjalorin e lumturisë për atë që dëshiron jetë më të rehatshme dhe më të ndritshme.