Tashmë kemi folur mjaftë për butësinë dhe vlerat e saj. Por, kjo temë është e pafund, ngase u sjell të mira të panumërta atyre që e praktikojnë. Shembulli më i mirë për mirësjellje është rrugica e ngushtë, njëdrejtimëshe, në mes të dy mureve, nëpër të cilën mund të kaloj vetëm një makinë ose fidani i një peme sepse shenjë mbrojtëse e mirësisë është të mos i trazosh të tjerët në përmbushjen e nevojave tua.
Njerëzit të cilët vozitin ngadalë nëpër një rrugë mund të lëshojnë para tyre shumë makina të tjera dhe të bëjnë që të kalojnë edhe shumë njerëz. Megjithatë, ata që nxitojnë pa kujdes nëpër atë rrugë nuk do t’i lejojnë asnjërit ta kalojë, e edhe vetë rruga atyre nuk do t’ju mjaftojë.
Prandaj, një rrugë është, por ka shumë mënyra për të reaguar. Nganjëherë kjo rrugë mund të jetë plotë dhe e dobishme, e nganjëherë e ngushtë dhe vdekjeprurëse. Gjithçka varet nga mirësia e vozitësve.
Ngjashëm është edhe me fidanin e një peme. Në të vërtetë, nëse e ujisim butësisht dhe ngadalë një fidan apo një pemë, do të shohim se si gradualisht e thith ujin, zhvillohet dhe rritet. Pas një kohe do të kemi një pemë dhe fryte. Mirëpo, nëse atë bimë e ujisim përnjëherë me sasi të njëjtë uji të cilën ia kemi derdhur ngadalë, do të shohim se bima do të lakohet ose do të shkulet nga dheu për shkak të ujit të tepërt. Pra, sasia e ujit është e njëjtë, por jo edhe mënyra.
Mënyra është çelësi i suksesit.
Nuk janë njësoj si ai që i palos mirë rrobat e tij dhe që kujdeset për to me atë që i flakë tej dhe është i pakujdesshëm ndaj tyre. Ky i dyti do të ankohet vazhdimisht se ka rroba të leckosura dhe të pahekurosura, ndërsa i pari nuk do të ketë fare probleme të tilla.
Shembull të pakujdesisë kemi edhe në rrëfimin mbi Jusufin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) dhe vëllezërit e tij. Gënjeshtra e tyre se Jusufin e kishte ngrënë ujku ishte evidente ngase ata Jusufit ia kishin hequr këmishën dhe e kishin lyer me gjak të rremë. Sikur ta kishte ngrënë ujku, ajo do të ishte e shqyer, e jo e palosur dhe e përgjakur.
Jeta jonë duhet të jetë e mbushur me butësi dhe me mirësi. Fillimisht këtë duhet ta praktikojmë mbi vete, ngase siç thotë i Dërguari ynë (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): "Kemi detyrim edhe ndaj shpirtit tonë".
Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj vëllezërve tanë ngase siç qëndron në hadith: "Allahu është i mirë dhe e do mirësinë", e natyrisht, edhe ndaj grave tona, siç porosit i Dërguari i Allahut: "Jini shumë të sjellshëm dhe të kujdesshëm ndaj bashkëshorteve tuaja."
Në urat e vjetra turke që ishin ndërtuar nga druri shkruhej: "Kujdes dhe ngadalë!" Dhe vërtet, ata që nguteshin nuk i kalonin dot këto ura, ndërkohë që të kujdesshmit nuk kishin kurrfarë problemesh.
Një shkrimtar sirian i cili jeton në Salimia në biografinë e tij kishte shënuar se një herë e kishte marrë motorin dhe ngarendte nëpër qytet. Së shpejti arriti te një urë e vjetër turke nga druri. Ndonëse ura ishte e dedikuar për këmbësorë, ai kishte dashur ta kalojë atë mbi motor. Në mes të urës e kuptoi se sa i pakujdesshëm kishte qenë ndaj vetvetes, por ishte vonë për t’u penduar. Përfundoi në lumë bashkë me motorin.
Në disa qytete evropiane në hyrje të kopshteve, parqeve dhe lulishteve shkruan: "Kini kujdes!". Natyrisht, kjo është shkruar për shkak të luleve, të barit dhe natyrës e cila mund të shkatërrohet nga sjellja e pakujdesshme dhe arrogante. Në këtë mënyrë qytetet do të mbeteshin pa bukurinë dhe shkëlqimin e tyre të vërtetë që gjendeshin pikërisht në këto vende. Pra, vëmendja dhe mirësia janë të domosdoshëm gjithandej dhe në çdo kohë.
Njerëzit duhet të jenë si bletët dhe jo si shpezët grabitqare. Në hadith thuhet: "Besimtari është si bleta. Ajo ushqehet me të mirë, jep fryt të mirë, e edhe kur lëshohet në ndonjë gjemb, nuk e thyen atë."
Prandaj, lulja nuk e ndjen bletën e cila lëshohet mbi të për shkak të kujdesit dhe të mirësisë së saj të jashtëzakonshme. Ajo afrohet ngadalë dhe e merr atë që ka nevojë shumë butësisht. Shpezët grabitqare, madje edhe harabelat janë tejet imponues, të shpejtë dhe arrogantë kur dëshirojnë të marrin diç, kurse e dimë se edhe harabeli cilësohet si shpend i mirë.
Kur po flas për këtë, kujtova një rrëfim tejet edukativ indian. Në realitet, një piktor tejet i njohur indian e kishte pikturuar një pikturë me bukuri madhështor dhe me vlerë të jashtëzakonshme. Ajo shfaqte një harabel në një kalli të grurit përplot kokrra. Mbreti e shpërbleu piktorin dhe pikturën e vari në pallatin e vet. Kur u dëgjua për pikturën, shumë njerëz shkuan në pallat për ta parë kryeveprën e piktorit. Në mesin e kësaj tollovie u gjend edhe një plak i cili e shikoi pikturën gjatë dhe pastaj deklaroi se ishte e keqe dhe e pasaktë. Njerëzit filluan ta qortonin dhe e sulmonin. Kur dëgjoi mbreti, e ftoi plakun dhe e pyeti përse e kishte kritikuar pikturën. Plaku i tha: "Nuk është e mundur që zogu të peshohet në Idas, e që ai të mbetet aq i drejtë dhe i bukur. Në të nuk do të mbetej asnjë kokërr, ngase harabeli është i rëndë dhe i pakujdesshëm. Prandaj piktura është e keqe dhe e pasaktë." Mbreti u pajtua me plakun, hoqi pikturën dhe ia mori piktorit shpërblimin.
Edhe mjekët preferojnë kujdesin me rastin e marrjes së ilaçeve, madje edhe në punë dhe në raport me njerëzit.
Njerëzit e nxituar dhe të vrazhdë përjetojnë shumë të këqija. Disa kafshojnë buzët, disave iu zihet fryma, disa thyejnë gota etj.
Nga ana tjetër, keni shembuj të mrekullueshëm në natyrë, ngase uji lundron por edhe gurgullon, era është e furishme, por edhe freskuese.
Disa nga pararendësit e mirë i këshillonin njerëzit që gjithçka të punojnë me kujdes dhe mirësi, për shembull, të hyjnë në shtëpi me kujdes, njësoj edhe të dalin, të vishen, të vozitin etj.Çdo arrogancë dhe vrazhdësi rezulton me mossukses, dështim dhe vuajtje. Përkundër kësaj, mirësia dhe kujdesi sjellin çdo të mirë.
I Dërguari ka thënë: "Butësia është gjithnjë e mirë dhe është stolia më e bukur për gjithçka."
Butësia i joshë njerëzit, ua pushton zemrat dhe i nxitë njerëzit për kryerjen e veprave të mira.Ajo është çelës për të gjitha problemet, mbulesë e të gjitha vështirësive dhe oazë për qetësimin e shpirtit.
"Vetëm me mëshirën e Allahut, ti je i butë ndaj tyre; e sikur të ishe arrogant dhe i vrazhdë, do të iknin nga afërsia jote. Prandaj fali dhe lutu që t’u falen mëkatet dhe këshillohu me ta. Ndërsa kur të vendosësh, atëherë mbështetu te Allahu, ngase Allahu vërtet i do ata që mbështeten te Ai. Nëse Allahu u ndihmon, askush nuk mund t’u mposhtë, e nëse u lë pa mbështetje, kush është ai, pos Tij, që mund t’u ndihmojë? Dhe besimtarët duhet të mbështeten vetëm te Allahu!"[1]