Shumë herë jam përpjekur të imitoj poetë të tjerë dhe të sajoj poezi sikurse të tyre. Kjo nuk më ka shkuar dorës kurrë. Unë thjesht nuk isha Ebu Risha ose ndonjë poet tjetër. Vargjet e mia të imituara dilnin të ftohta, pa përmbajtje dhe pa kuptim. Në fund vetë hiqja dorë nga këto vargje dhe poezi.
Ky shembull është i ngjashëm me një ngjarje në Medinë, kur një imam kishte filluar të falë namazin e jacisë dhe t’u prijë besimtarëve, ai filloi të imitonte një lexues të famshëm të Kuranit. Natyrisht, ky imam nuk kishte as zërin e as aftësinë e lexuesit, kështu që leximi i tij u shndërrua në një këndim të çuditshëm dhe të papërshtatshëm që nxiste indinjatë te të gjithë ata, të cilët atë natë po faleshin pas tij.
E kuptova qartë se Krijuesi i ka dhënë çdonjërit aftësi të posaçme dhe unikate që nuk mund t’i imitojë askush:
"Të gjithë juve u kemi caktuar rrugën dhe drejtimin!"[1]
Prandaj, ji i lumtur dhe mos u përpiq ta imitosh dikë në qëndrim, fjalim, lexim, sjellje ose diç tjetër. Ti je krijesë e veçantë e Zotit dhe si i tillë i ofron botës dhe të gjithëve rreth teje shumëçka.