Gjatë kohës së shkollimit në Ebha jam përpjekur shumë në shkollë. Kam qenë rregullisht në mesin e nxënësve më të mirë, por gjithnjë më jepnin vendin e dytë, ndonëse sipas notave e meritoja të parin. Por, një vit, kur kisha aspirata dhe shpresa më të mëdha, pasi u shpallën rezultatet e pashë se kisha dështuar. Kisha marrë notë negative në gjuhën angleze, e cila më dukej shumë e vështirë dhe e komplikuar. Atëherë për mua pësuan ditët e mundimshme dhe të zeza. Gjithçka rreth meje ishte e mjerë dhe pikëlluese, as ditën e as natën nuk mund të gjeja ngushëllim.
Mendoja se bota për mua kishte marrë fund. Të gjithë shokët ishin tejet të befasuar ngase askush nuk e kishte pritur këtë. Shpirti im ishte krejt i zbrazët dhe i pafuqishëm ngase kisha shpresuar shumë për sukses të shkëlqyeshëm dhe për këtë kisha punuar me zell një kohë të gjatë. Duke më parë kështu të pikëlluar, njëri prej profesorëve të mi më recitoi vargjet:
Gjithçka që është e paplotë sjell me vete pikëllim,
andaj njeriu nuk duhet të mashtrohet me bukuritë e kësaj bote.
Këto vargje më gëzuan shumë dhe më nxitën buzëqeshjen në fytyrë. Ato i kujtoj shpesh kur është fjala për ndonjë mossukses të kësaj bote. Vërtet, pikëllimi dhe dëshpërimi nuk më ndihmuan aspak e as që mi përmirësuan notat e mia, porse puna e vendosur që pasoi pastaj dhe e cila kishte si rezultat një sukses të njëmendë.
Prandaj edhe ty të them që gjendjen tënde, mossuksesin apo dështimin në jetë nuk mund ta ndryshojnë dëshpërimi, mjerimi, shqetësimi dhe pesimizmi. Ata nuk mund të ndihmojnë në asnjë mënyrë. Madje, vetëm do ta shtojnë rënien dhe mjerimin!
Diç e ngjashme më ka ndodhur kur e mbrojta punimin e magjistraturës nga fusha e hadithit. Kisha punuar shumë për këtë punim dhe shpresoja për një notë të shkëlqyer. Megjithatë, punimi u vlerësua shumë mirë dhe unë u dëshpërova e u brengosa shumë. Atëherë mu afrua një shok dhe më pyeti: “Si mendon, nëse nuk do ta kaloje, apo nëse do ta refuzonin fare për ndonjë arsye? Çka do të bëje atëherë? Tek e fundit, punimin e mbrojte, diplomën e more dhe ç’lidhje ka fakti që nuk është vlerësuar me notë të shkëlqyer por shumë të mirë?"
Këto ishin vërtet fjalë të vërteta dhe të sinqerta të cilat zunë vend në zemrën time dhe më qetësuan. Pikërisht për shkak të këtyre situatave në jetë njeriu duhet të përgatitet për më të keqen dhe më të vështirën. Kjo do ta shpëtojë dhe kursejë nga brengat dhe pikëllimet e shumta. Nga ana tjetër, brengat për ndonjë send që ka ndodhur munden vetëm ta përkeqësojnë situatën dhe njeriut t’i shkaktojnë probleme edhe më shumë.
Leksioni të cilin e mësova nga punimi im i magjistraturës më ka ndihmuar shumë më pastaj në jetë. Kështu, për shembull, kur po përgatisja doktoratën, ndodhën shumë gjëra të planifikuara, ndonëse punimi ishte teknikisht dhe shkencërisht i shkëlqyeshëm. Por, i mësuar nga shembulli i mëhershëm, unë nuk u brengosa shumë dhe nuk isha në panik. E dija që unë kisha bërë gjithçka që ishte në fuqinë time, prandaj nuk kam dëshiruar ta rëndoj as zemrën e as shpirtin me atë që nuk varej nga unë.
Ai që është i gatshëm për faktin që gjithë tregtia mund t’i dështojë është i qetë nëse i ndodhë ndonjë mossukses i vogël. Kush e pret vdekjen është i kënaqur kur e dënojnë vetëm me burg. Prandaj, gjithnjë duhet të jemi të gatshëm dhe të përgatitur për më të keqen dhe më të vështirën, kështu do të tejkalojmë më lehtë të gjitha vështirësitë, telashet dhe disfatat.