I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ishte sulmuar ashpër dhe poshtëruar në qytetin e tij të lindjes. Një herë ishte nisur në Taif në mënyrë që banorët e tij t’i ftojë në Islam dhe mundësisht të gjejë strehë aty. Por, banorët e atjeshëm e pritën edhe më keq duke e quajtur gënjeshtar. Pastaj e mallkuan, e fyen dhe e gjuajtën me gurë.
Sytë e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), u mbushën me dhembje e lot. Këmbët i kishte të përgjakura kurse zemra i rrihte fort.
Ku mund të shkonte?
Kujt t’i drejtohej për ndihmë?
Kujt t’i ankohej?
Vetëm Allahut, Një dhe të Vetëm ngase Ai është i fuqishëm, i pushtetshëm dhe vetëm Ai ofron ndihmë.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), u vendos në luginë, fali namazin dhe falënderoi Allahun dhe iu lut Atij me dhembje e pikëllim.
Zoti i tij ia dëgjoi fjalët, gjëmën dhe lutjen:
"Zoti im, vetëm Ty të ankohem për dobësinë time, për mungesën e aftësisë dhe injorimin që e hasa te njerëzit. Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Ti je Zot i të dobtëve dhe i të pafuqishmëve. Ti je Zoti im. Në duar të kujt po më lë? Të afërmve të mi që po më sulmojnë ose në duar të armikut, për cilin bën që të jetë më i fortë se unë? Por, nëse Ti nuk je zemëruar me mua, unë për këtë s’do të brengosem fare. Shëndeti që ma ke dhënë është më shumë se të gjitha dhembjet. Mbështetem në dritën e fytyrës Tënde, që ndriçon shumë errësira dhe që i sjell të mira edhe kësaj bote (dynjasë) edhe botës tjetër (ahiretit) që mbi mua të mos bjerë zemërimi Yt dhe hidhërimi Yt. Është e drejtë Jotja të më vësh në sprovë gjersa të mos jesh i kënaqur. Vetëm Ti je fuqiplotë dhe i fortë."