Nëse shikon përreth gjërat që i përmendëm më sipër, do ta kuptosh porosinë e këtij titulli. Por, tani do ta elaboroj pak më shumë këtë që ta kemi më të qartë. Gjëja më e rëndësishme është të jesh i kënaqur me atë që të ka përcaktuar Allahu nga pasuria, trupi, fizionomia, fëmijët, shtëpia dhe aftësia. Kjo është logjika e Kuranit:
"Merre atë që ta jap dhe falëndero!"
Numri më i madh i dijetarëve, të parëve tanë të mirë, si dhe njerëzve nga gjeneratat e para nuk kanë zotëruar pasuri të madhe, përkundrazi shumë prej tyre kanë qenë të varfër. Ata nuk kanë pasur pallate të mrekullueshme, kuaj të racës së lartë dhe veshmbathje ekstravagante. Por, përkundër kësaj, kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën e tyre, duke i bërë të lumtur veten dhe të tjerët. Kjo ngase kanë pasur përsiatje të drejtë për mirësinë me të cilën i ka nderuar Allahu, ndaj kanë pasur bereqet në vitet, kohën dhe atë që kanë bërë.
Përkundër kësaj gjenerate të njerëzve të bekuar, ne sot kemi me miliona njerëz që kanë shumë para, pasuri, fëmijë, e plotë të mira të tjera, por krejt ato janë vetëm shkak i shqetësimeve dhe i brengave ngase janë larguar nga rruga e natyrshme e cila shpie tek e Vërteta. Kjo është dëshmi që gjësendet nuk janë gjithçka në jetë.
Shikoji pak ata që kanë marrë diploma në universitete me renome botërore në shkenca të ndryshme, por mbyten në telashe, nuk e kuptojnë jetën dhe nuk ndikojnë në të. Përkundër tyre, njerëz të tjerë të cilët nuk kanë dije të madhe bëjnë mrekulli, duke qenë të dobishëm për vete dhe të tjerët, duke bërë më të mirë gjendjen dhe kohën në të cilën jetojnë.
Nëse dëshiron të ndjesh lumturinë e vërtetë, kënaqu me pamjen tënde të cilën ta ka dhuruar Lavdiploti. Kënaqu me gjendjen në familje, zërin tënd, mendjen dhe fitimin. Disa njerëz shumë të devotshëm shkojnë edhe më tej dhe deklarojnë se duhet qenë i kënaqur edhe me më pak se që kemi, si dhe edhe me gjendje më të keqe nga ajo në të cilën ndodhemi.
Tani do të përmendim disa shembuj të ndritshëm të njerëzve që tërësisht i lanë anash kënaqësitë e tyre të kësaj bote:
Ata ibën Rebah, dijetari më i njohur i kohës së vet, ka qenë rob i zi, me hundë të shtypur, i paralizuar dhe qeros (pa flokë);
Ahnef ibën Kajs, arabi më dorëlirë ndonjëherë, ka qenë thatim, i kërrusur, i çalë dhe i dobët, e i pafuqishëm;
Amesh, njëri prej ekspertëve më të shquar të hadithit në botë, ka qenë rob i liruar, më shikim shumë të dobësuar, skamnor i mjerë, me rroba të leckosura, me pamje të papëlqyer dhe shtëpi të vogël.
Por, edhe në mesin e vetë të Dërguarve (bekimi i Allahut qoftë mbi ta), do të hasim të atillë që kanë qenë barinj.
Davudi (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), ka qenë farkëtar;
Zekerijaja (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), - zdrukthëtar;
Idrisi (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), - rrobaqepës, ndërsa ata ishin njerëzit më të zgjedhur dhe më të mirë.
Prandaj, ji i kënaqur me pamjen tënde, aftësitë, veprat e mira, edukatën dhe mos u pikëllo nëse nuk je i bukur dhe i pasur. Kënaqur me atë që të ka caktuar Allahu.
"Ne u japim gjithçka që u nevojitet për jetë në këtë botë."