Një kohë në Medinë mbaja hytbe dhe po udhëhiqja namazin e xhumasë. Numri më i madh i hytbeve të mia ka të bëjë me sirën, jetëshkrimin e të Dërguarit, e kjo ishte tema ime e preferuar dhe për këtë isha i kualifikuar. Megjithatë, njerëzit sikur ishin lodhur nga këto tema; një ditë kërkuan ta ndryshoja titullin e hytbes, ndonëse nuk ishte aspak e keqe ose e gabuar, e t’u rrëfej për mehrin dhe vlerat e larta të mehrit te ne.
Personalisht nuk dija shumë për këtë temë e cila nuk ka qenë objekt i studimit tim, por u binda, e kur u ngjita në minber, deklarova se do të flisja për këtë.
Mirëpo, sa herë që filloja të flisja, fjalët e mia nuk kishin kuptim, isha jo elokuent, konfuz. Shpesh ngecesha dhe belbëzoja. Filloja me një ajet, përfundoja me një tjetër, i përzieja hadithet dhe i komentoja në mënyrë të ngatërruar deklaratat e njerëzve të mirë. Tërë kohën ndjeja një djersitje të ftohtë, këmbët filluan të më lëkunden dhe isha tejet i frikësuar. Disi arrita ta përfundoj hytben, por e vëreja se njerëzit ishin të hutuar dhe të befasuar.
Pas kësaj hytbe, u binda se ishte më së miri që hytben ta mbaja për atë që e di më mirë dhe të mos lodhem me diç që nuk mundem dhe nuk e di. Ndërsa dihet mirë se e kemi të ndaluar të shtrëngohemi dhe të tiranizohemi për asgjë.
Të gjithë ne, nëse e dëshirojmë lumturinë dhe shpirtin e qetë, duhet punuar dhe folur vetëm atë që e dimë dhe mundemi dhe për çka jemi të aftësuar mirë.
I Dërguari i Allahut ka thënë: "Allahu më së shumti pëlqen që kur dikush vepron ndonjë vepër, ai ta përsosë atë."
Kjo përsosje është ilaç për shpirtin dhe qetësi për zemrën.