I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ia solli njerëzimit porosinë Hyjnore. Ai nuk ka luftuar për këtë botë, nuk ka poseduar thesare të pasurive të kësaj bote, nuk kënaqej në kopshtet e pasura dhe nuk ka jetuar në pallate e saraje. Megjithatë, atij i shkonin njerëzit duke i dhënë betimin për besnikëri në rrethanat më të rënda jetësore, momentet më të dhembshme, kur ishin pak në numër, të persekutuar në vendet e tyre dhe të frikësuar se do të vriten nga bashkëvendësit e vet. Përkundër tërë kësaj, ata e donin tejmase Muhamedin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Miqtë e tij ishin të izoluar dhe të përjashtuar. Shpesh u privohej ushqimi. Dënoheshin me vuajtje dhe me torturë, sulmoheshin nga farefisi. Përkundër krejt kësaj, ata e donin të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Disa shokë të tij ishin të vendosur në rërën e skuqur të shkretëtirës dhe hidheshin në burgje, persekutoheshin nga jobesimtarët. Ata të pafetë, gjithashtu e persekutuan të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Përkundër tërë kësaj, shokët e respektonin plotësisht të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Shokëve të të Dërguarit ua merrnin tokën, shtëpitë, familjet dhe krejt çka posedonin. U duhej të iknin nga vatrat e tyre, nga vendi ku e kishin kaluar rininë dhe momentet më të bukura të jetës. Përkundër tërë kësaj ata nuk ndaheshin nga i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Besimtarët hidheshin në vuajtje të rënda për shkak të misionit të tij, dëboheshin, poshtëroheshin dhe persekutoheshin, ashtu që pandehnin se vdekja u kishte ardhur në fyt. Përkundër tërë kësaj, e donin të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Besimtarët e flijonin rininë e tyre për të, ndërkohë që mbi kokat e tyre vazhdimisht varej shpatat e jobesimtarëve.
Hija e shpatës sikur të ishte si hije
e kopshteve të gjelbëruara plot lule shumëngjyrëshe.
Këta njerëz shkonin në luftë dhe ballafaqoheshin me vdekjen sikur shkonin në një shëtitje ose në ndonjë argëtim, kurse krejt kjo ndodhte ngase e donin pa masë të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Disa dërgoheshin në misione tërësisht të vetëdijshëm se mund të mos kthehen të gjallë prej tyre. U besoheshin detyra që e dinin se do të përfundojnë me vdekjen e tyre, por sërish shkonin atje të lumtur dhe të kënaqur, e krejt kjo ngase e donin pa masë të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Por, shtrohet pyetja përse e donin aq shumë dhe përse ishin të lumtur me profecinë e tij?
Përse i qetësonte udhëzimi i tij?
Përse gëzoheshin për ardhjen e tij dhe i harronin të gjitha dhembjet, vuajtjet dhe vështirësitë e veta vetëm për të qenë ithtarë të tij?!
Besimtarët te i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e shikonin tërë kuptimin e mirësisë dhe të lumturisë. Tek ai shihnin të gjithë shenjat e bamirësisë dhe të vërtetës. Ai ishte model fisnik për të gjithë që i drejtoheshin. Dashuria dhe ngrohtësia e tij i gjallëronte zemrat dhe i ngrohte gjokset e besimtarëve, kurse misioni i tij zgjonte shpirtrat e tyre.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), mbushte zemrat e besimtarëve me kënaqësi, andaj ata nuk i konsideronin të mëdha dhe të rënda dhembjet në rrugën e Allahut. Shpirtin e tyre ai e mbështillte me besim të fortë dhe me bindje, që u jepte ngushëllim në vuajtjet më të rënda dhe në pikëllimin më të madh.
Udhëzimi i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), pastronte ndjenjat e besimtarëve, ndriçonte mendjet e tyre me dritën e tij dhe u largonte nga gjoksi të gjitha ndjesitë dhe shprehitë e injorancës, idhujt e rremë, hyjnitë, shkatërronte bindjet politeiste dhe devijimin. Ai ua shuante atyre zjarrin e lakmisë, të urrejtjes dhe të armiqësisë, duke e mbushur me besim të pastër, kështu që, më në fund e shikonin dritën e së vërtetës, rrugës së drejtë, qetësonin trupin, shpirtin dhe zemrën e tyre.
Me të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), njerëzit ndjenin ëmbëlsinë, lumturinë dhe gëzimin e jetës. Ishin të kënaqur me praninë e tij, të sigurt si ithtarë të tij, të suksesshëm në përmbushjen e dispozitave të tij dhe të ngopur me ndjesinë e udhëheqjes së tij.
"Kurse ty të kemi Dërguar vetëm si mëshirë për botët."
"Në këtë mënyrë Ne të shpallim ty atë që të shpallet. Ti nuk ke ditur ç’është Libri as i ke njohur dispozitat e fesë, por Ne e bëmë dritë përmes së cilës udhëzojmë ata robër Tanë që dëshirojmë. Kurse Ti, me të vërtetë, udhëzon në Rrugë të drejtë, në rrugën e Allahut, të Cilit i takon gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në Tokë. Dhe, ja, gjithçka te Allahu do të kthehet! "
"Ai të paditurve u dërgoi të Dërguar, njërin prej tyre, që t’ua lexojë ajetet e Tij dhe t’i pastrojë dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësinë e diturinë, ngase më parë kanë qenë në devijim të qartë, edhe të tjerëve që nuk u janë bashkuar ende – Ai është Fuqiploti dhe i Urti."
"Dhe na cakto mëshirë në këtë botë, edhe në botën tjetër – ne te Ti do të kthehemi! – Me dënimin Tim Unë e ndëshkoj cilin të dua, tha Ai, kurse mëshira Ime përfshin gjithçka; do t’ia jap atyre që do të ruhen nga mëkati dhe që japin zeqat, edhe atyre të cilëve do t’i besojnë argumentet Tona, atyre që do ta ndjekin të Dërguarin, i cili nuk do të dijë as të lexojë e as të shkruajë, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar, në Tevrat dhe në Ungjill, i cili do të kërkojë prej tyre të kryejnë vepra të mira, e t’i largojë nga ato të këqija, i cili do t’ua lejoj ushqimet e mira, e t’ua ndalojë ato të shëmtuarat, i cili do t’i lirojë nga barra dhe vështirësitë të cilat i kanë pasur. Prandaj ata që do ta besojnë atë, të cilët do ta mbështesin dhe ndihmojnë dhe do të ndjekin dritën e dërguar përmes tij – do ta arrijnë atë që e kanë dëshiruar."
"O besimtarë, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur të kërkojë prej jush të bëni atë që do t’ua sigurojë jetën; dhe ta dini që Allahu hyn midis njeriut dhe zemrës së tij, si dhe që të gjithë para Tij do të tuboheni."
"Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut dhe kurrë mos u ndani! Dhe kujtoni mëshirën e Allahut ndaj jush kur ishit armiq të njëri tjetrit, pastaj ai pajtoi zemrat tuaja dhe ju u bëtë, me mëshirën e Tij, miq; dhe ishit në buzë të humnerës së zjarrit, por Ai u shpëtoi prej saj. Kështu Allahu ua shpjegon argumentet e Veta, që të jeni të vendosur në Rrugë të drejtë."
"Ai nxjerr nga errësirat në dritë."
Besimtarët, s’ka dyshim se kanë qenë vërtet të lumtur me prijësin dhe shembullin e tyre dhe për këtë kishin pikërisht të drejtë.
Oj natë duke qarë të kam pyetur a do të kthehesh prapë,
edhe pse koha jote kaloi para një kohe shumë të gjatë.
Zoti im, dhuroj bekimin dhe paqen Tënde atij që na çliroi zemrat nga prangat e devijimit. Bekoje atë që na shpëtoi shpirtrat nga bredhjet në errësirë. Kënaqu me shokët e tij dhe me dinjitarët dhe i begato ata me shpërblimin më të mirë për gjithë zellin dhe sakrificën e tyre.