Mjeku Xhejms Gordon deklaron: "Dëshira që njeriu të jetë vetvetja është e vjetër sa edhe historia e njerëzimit dhe ajo është universale. Gjithashtu, dëshira që të largoheni nga vetvetja dhe të bëheni një person tjetër është e vjetër dhe tregon se ky person ka shumë stres dhe shqetësime shpirtërore."
Një dijetar tjetër ka deklaruar: "Ti je unikal për nga vetitë tua. Askush nuk është identik me ty dhe e kundërta. Krijuesi i Lartësuar krijon krijesa të ndryshme. Allahu thotë: “Përpjekjet tua janë të ndryshme."
Angjelo Patri, shkencëtar i cili ka shkruar trembëdhjetë libra dhe mijëra artikuj lidhur me temën "Edukimi i fëmijës", deklaron: "Askush nuk vuan aq shumë si personi i cili dëshiron shumë të jetë dikush tjetër, shpirtërisht dhe fizikisht."
Allahu i Madhërishëm thotë:
"Ai lëshon shiun nga qielli, andaj lumenjtë rrjedhin në shtretër me masë, dhe vërshimi bart mbeturinat që lundrojnë në sipërfaqe. Edhe atë që njerëzit shkrijnë në zjarr me dëshirë që të fitojnë stoli ose pajisje gjithashtu ka mbeturina, të ngjashme me ato. – Kështu Allahu përmend shembullin për të vërtetën dhe të pavërtetën; mbeturinat flaken, përderisa ajo që i shërben njerëzve mbetet në tokë. Ja, kështu, Allahu shpjegon shembujt."[1]
Çdo njeri posedon aftësi dhe fuqi unike dhe të posaçme, kështu që nuk ka nevojë që dikush të identifikohet me të tjerët dhe të shkrihet me personalitetin e tij.
Ti je krijuar me afinitete të veçanta për të kryer ndonjë punë të caktuar. Prandaj, siç pohojnë njerëzit, studio personalitetin tënd dhe kupto ç’mund të bësh.
Emersoni, në artikullin e tij Lidhur me vetëbesimin shpirtëror, deklaron: "Do të vijë koha kur dituria e njeriut do të kalojë në besimin që lakmia është padituri dhe imitimi - vetëvrasje. Atëherë ai do t’ia pranojë vetes çka është dhe kush është, çfarëdo rrethanash qofshin ato, ngase ky është fati i tij. Njeriu gjithashtu do ta kuptojë që ndonëse gjithësia është përplot gjërash të ndryshme, ai nuk do të marrë as edhe një grimë përderisa të mos e mbjellë, ta punojë dhe kujdeset vetë për zhvillimin e saj. Fuqia e cila fshihet në brendinë e njeriut është e natyrshme. Askush nuk do ta mësojë cakun e fundit të fuqisë së vet përderisa të mos e kuptojë dhe vë në veprim."
"Dhe thuaj: Përpiquni! Allahu do ta shohë përpjekjen tuaj, e edhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët, si dhe ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e njeh botën e dukshme dhe të padukshme, pastaj do t’u informojë për atë që keni punuar."[2]