Kujdes me pasurinë, "nuk dështon ai që planifikon"
Në një këngë këndohet:
Mblidh të gjitha paratë tua, se në to ka madhështi,
pastaj i shpenzo me më të afërmit e tu.
Këta vargje pasqyrojnë filozofinë e shkapërdarjes dhe shpenzimit të pakuptim të parave, pa kurrfarë plani dhe dobie. Këto teza me gjasë janë marrë nga Hindusët dhe sufijtë e paditur.
Islami nxitë për fitim të ndershëm, kursimin e parave dhe ndarje të pasurisë përgjatë rrugës së bujarisë. Kjo njeriun e nxitë të jetë krenar me paratë që i jep.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka deklaruar: “Sa e mirë është pasuria që gjendet në duar të njeriut të mirë.” Ky hadith është i mirë.
Skamja, varfëria dhe borxhet, njeriut i shkaktojnë probleme, shqetësime dhe vështirësi të mëdha. Prandaj i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), është lutur: “Zoti im, të mbështetem Ty nga mosbesimi dhe varfëria.”
Në anën tjetër, në një hadith tjetër thuhet: “Varfëria është shumë afër mosbesimit.”
Kjo, ndërkaq, nuk është assesi në kolizion me hadithin në të cilin ftohet për modesti dhe zuhd:
“Bëhu modest në këtë botë, që të dojë Allahu, përmbahu të kërkosh nga njerëzit, që ata të duan ty.” Ky hadith, me siguri, përmban disa dobësi.
Megjithatë kjo nuk e përjashton që njeriu të ketë mjaft pasuri dhe ushqim në mënyrë që të jetë i pavarur nga të tjerët dhe nga lypja. Secili duhet ta ketë pasurinë e tij në mënyrë që të jetë i pastër dhe i ndershëm para njerëzve.
Thotë i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): “Kush e dëshiron pasurinë, Allahu do t’ia dhurojë.”
Vetëm Krijuesit dorën ia shtrij,
kurse nga fati kurrë s’kërkova gjë.
Në një hadith autentik thuhet: “Është më mirë që të lësh pasardhës e trashëgimtarë të pasur, se sa t’i lesh në skamje, e të lypin prej njerëzve.”
Një poet i ka kënduar madhështisë së shpirti me këto fjalë:
Më së miri është kur të them: Merre!,
kurse më së keqi është kur thua: Ndoshta.
Në një hadith tjetër autentik thuhet: "Dora e cila jep është më e mirë se sa dora e cila merr."
"Edhe atë të varfërve të cilët, të përkushtuar në rrugën e Allahut, nuk kanë kohë të fitojnë andaj ai që nuk është i udhëzuar pandeh se, për shkak të modestisë së tyre, janë të pasur; do t’i njohësh në bazë të pamjes së tyre, ata nuk i shqetësojnë njerëzit duke pyetur. – Kurse ajo çka u jepni të tjerëve nga pasuria - Allahu, më siguri, di për këtë."[1]
Një prej porosive të ajetit është që nuk duhet t’u vardisemi dhe bëjmë lajka njerëzve që të na japin diç. Në të vërtetë, Allahu jep furnizim, kurse të gjithë madhështia është përkufizuar në besim. Prandaj, besimtarët janë gjithnjë kokëlartë, krenarë, të ndershëm dhe të patundur.
"Mos kërkojnë forcë tek ata, ndërsa e gjithë forca i takon vetëm Allahut?"[2]
Ibën Verdi deklaron:
Nuk dua t’i puth dorën askujt që të më japë,
dorën e tillë më mirë mos e shiko.
Njeriu është fisnik nëse diç më dhuron,
nëse jo, më mjafton turpi për të cilin s’guxoj asnjërit t’i kërkoj.