Peshorja e lumturisë gjendet në librin e shenjtë të Allahut. Kurani i vlerëson gjërat, i cakton dhe i vlerëson ato.
"E sikur të gjithë njerëzit nuk do të bëheshin jobesimtarë, ne pullazet e shtëpive të atyre që nuk e besojnë Mëshiruesin do t’i bënim prej argjendit, madje edhe shkallët nëpër të cilat ngjiten, edhe dyert e shtëpive të tyre edhe divanet në të cilët pushojnë, edhe zbukurime nga ari do t’u jepnim, ngase krejt këto janë vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote, kurse bota tjetër te Zoti yt do të jetë për ata të cilët urdhrat e Tij i zbatojnë, kurse largohen nga ndalesat e Tij."[1]
Ky është realiteti dhe kuptimi i kësaj bote. Në të hasim shtëpi, pallate, ari, argjend dhe poste e pozita të ndryshme.
Ajo vërtetë është e pavlerë sa që u jepet jobesimtarëve me një fjali të vetme dhe prej saj privohen besimtarët për të na treguar se sa është vlera e jetës në këtë botë.
Shoku i njohur i të Dërguarit Utbe ibën Gazvani (Allahu qoftë i kënaqur me të), habitej se si jeta ishte aq e ëmbël dhe plot kuptim në shoqëri te të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kurse atëherë kishin fare pak ushqim dhe pjesën më të madhe të kohës duhej të luftonin. Atëherë Utbe ishte më i kënaqur. Ndërsa kur vdiq i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), Utbe u bë mëkëmbës në një krahinë dhe kishte pasuri të madhe, por jeta e kishte humbur ëmbëlsinë dhe u bë shumë e hidhur.
Unë po shoh njerëz të mjerë që nuk ngopën dot,
i shoh të duken thuajse janë lakuriq dhe të uritur.
Unë e shoh atë edhe në qoftë se ata të shikojnë,
duken qartë sikurse retë në verë që qartë duken.
Sad ibën Ebi Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ishte befasuar shumë se si ndryshoi jeta dhe u bë e lirë, e pavlerë dhe e pa kuptim pasi vdiq i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
"Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë."[2]
Pra, kjo çështje ka diçka në të, në këtë çështje ka një fshehtësi, e ajo është vetëm një se sa e parëndësishme dhe e ulët është kjo botë.
"Mos pandehin ata, kur u ndihmojmë me pasuri dhe me fëmijë, që të nxitojmë t’u bëjmë ndonjë të mirë? Assesi, por ata nuk e kuptojnë."[3]
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), kishte qarë kur hyri në shtëpinë e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), pasi pa se në shtëpinë e tij s’kishte asgjë pos një hasër të vjetruar e të punuar nga disa dengje elbi.
Me të vërtetë është edukative dhe impresive të dihet se i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i cili është shembulli më i mirë dhe prijësi i të gjithë njerëzimit, ka jetuar në këtë mënyrë.
"Dhe ata deklarojnë: ‘Si i ka hallet ky i Dërguari, ai ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje; do të duhet të dërgohej një engjëll që të paralajmërojë bashkë me të."[4]
Pastaj Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), të Dërguarit i tha (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): “Ti e di, o i Dërguar i Allahut, se si jetojnë Kisra dhe Kajseri.”
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), u përgjigj: “Mos po dyshon, o biri i Hatabit, mbase nuk je i kënaqur që i yni të jetë ahireti, kurse e tyre dynjaja?”
Kjo është ndarje e qartë dhe e drejtë. Të hidhërohet kush të dëshirojë dhe të jetë i lumtur kush të dëshirojë. Kush e kërkon lumturinë në shtëpi, para, pallate, automobila dhe punon vetëm për këtë, do t’i ketë vetëm ato, por jo edhe lumturi të vërtetë.
"Atyre që e dëshirojnë jetën në këtë botë dhe bukuritë e saj – Ne do t’ua japim frytet e punës së tyre dhe nuk do t’u pakësohet asgjë. Ata në botën tjetër vetëm zjarri do t’i djegë; atje nuk do të kenë kurrfarë shpërblimi për atë çka kanë vepruar në Tokë dhe do të jetë e kotë gjithçka që kanë punuar."[5]