Zemërgjerësia si veti e Islamit e lumturon shumë njeriun dhe i sjell qetësi shpirtit të tij. Allahu, me siguri i falë dhe i shpërblen besimtarët me mëshirën e Tij. Kështu ekzistojnë shumë shpërblime të mëdha për çdo vepër të mirë.
Veprat e mira i fshijnë veprat e këqija. Kështu, falje dhe shpërblim të madh do të arrijmë nëse, për shembull, e falim namazin, shkojmë rregullisht në namazin e xhumasë, e kryejmë umren dhe haxhin, agjërojmë dhe të ngjashme.
Nuk duhet harruar që çdo vepër e mirë te Allahu shumëfishohet prej dhjetë deri shtatëqind herë, madje edhe më shumë. Pendesa shlyen mëkatet e kryera para saj. Telashet dhe të këqijat i shlyejnë mëkatet. Asnjë e keqe nuk e godet besimtarin, e që për këtë Allahu të mos ia falë disa mëkate. Lutjet janë arsye për faljen e mëkateve të shumta, si dhe ndërmjetësimi i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
"Nëse doni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni."[1];
"A nuk e shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues."[2]