Ibën Mubareku, dijetari shquar, deklaron: "Më shumë më pëlqen kasida e Adij ibën Zejdit se sa sarajet dhe pallatet e princit Tahir ibën Huseinit."
Ja disa vargje nga kasida e përmendur:
O ti, smirëzi shpirtkeqi,
mos pandeh se je i sigurt dhe i mbrojtur?
Apo me siguri pakt me fatin ke lidhur?
Të ka mashtruar ty dynjaja, o i paditur.
Poeti dëshiron të pyesë njeriun shpirtkeq, që i gëzohet fatkeqësisë së tjetrit, a është i sigurt se nuk do t’i ndodhë edhe atij ndonjë e keqe e ngjashme nga e cila i përqesh të tjerët?
Apo ai, mbase, është në ndonjë marrëveshje me kohën e cila do ta mbrojë atë nga çdo e keqe dhe fatkeqësi?
Andaj, përse po i përqesh të tjerët me të keq?
Me siguri shumë prej nesh e njohim hadithin në të cilin i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë: “Dynjaja tek Allahu nuk është e vlefshme as sa bart miza në krah.”
Kjo flet më së miri për vlerën dhe madhështinë e dynjasë, e këtë na ka treguar vetë Zoti i Madhërishëm.
E përse, atëherë, të preokupohemi për të, të zhytemi në pikëllim dhe të frikësohemi?
Lumturia është ndjenjë e sigurisë dhe e prehjes kur është çështja për jetën, familjen dhe të ardhmen tënde. Ajo përkufizohet në besim, kënaqësinë me përcaktimin e Allahut dhe në durim.