Abdullah ibën Mes`udi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka deklaruar: “Njeriu që është i kënaqur me përcaktimin e Zotit dhe i bindur për ndihmën e Tij jeton i qetë dhe në rehati, kurse ai që dyshon dhe hidhërohet gjithnjë është i dërmuar nga pikëllimi dhe brengat.”
Ai gjithashtu ka deklaruar se: “Në durim ka shumë të mira.”
Eban ibën Taglebi ka deklaruar se e ka dëgjuar një beduin duke deklaruar: “Virtyti më i mirë i njeriut është durimi në raste të vështira dhe shpresa që çdo vështirësi do të kalojë. Kështu durimi e ndihmon njeriun të tejkalojë të gjitha krizat, të jetë më i besueshëm tek Allahu dhe të ketë mendime të mira për Atë. Njeriut me virtyte të këtilla, çdo sprovë do ta kalojë shpejt dhe të gjitha lutjet e tij do të plotësohen.”
Asmei gjithashtu transmeton fjalët e një beduini: “Ki frikë prej të këqijave nga atje ku është e mira, ki shpresë për të mira nga atje ku është e keqja. Jeta shpesh fillon kur njeriu e kërkon vdekjen, kurse vdekja vjen kur e kërkon jetën. Qetësia më e madhe është rezultat i frikësimeve të mëdha.”
Një njeri i urtë ka deklaruar: “Njeriu i mençur e shfrytëzon dyfish fatkeqësinë e cila e godet; së pari është i lumtur për shkak të gjërave të tjera që kjo fatkeqësi nuk i ka prekur, kurse së dyti ai shpreson për shpëtim nga Allahu. Njeriu i palogjikshëm ndërkaq në fatkeqësi shikon dy gjëra të këqija. Një, ai është i pa shpresë, dy, mendon se e presin të këqija më të mëdha dhe më të dhembshme.”
Që më herët kemi përmendur se Allahu besimtarët i edukon me fatkeqësi dhe me sprova, kurse edukimi i Allahut mund të na sjellë vetëm të mira.
Hasan ibën Sehli fatkeqësitë dhe sprovat i ka përshkruar me këto fjalë: “Ato na zgjojnë nga mospërfillja, na sjellin shpërblim nëse bëjmë durim, na shlyejnë mëkatet, na kujtojnë të mirat dhe na tregojnë pashmangshmërinë e përcaktimit të Allahut.”
Ja lajmet për ata të cilët duke kërkuar jetë shkojnë në vdekje.
"Atyre që nuk luftuan, kurse për vëllezërit e tyre deklaronin: ‘Sikur të na kishin dëgjuar, nuk do të vriteshin,’ thuaju: ‘Ani ju shpëtoni nga vdekja, nëse e thoni të vërtetën!"[1]
Tani, ja disa urtësi popullore të cilat bëjnë fjalë për fatkeqësitë:
Një tregtar i mençur ka deklaruar: “Fatkeqësia më e vogël është kur pësojnë të mirat materiale, ngase shpirti i shëndoshë është pasuria më e madhe.”
Arabët thonë: “Nëse shpëton njeriu, asgjë tjetër nuk llogaritet. ”
Njerëzit e urtë kanë deklaruar: “Edhe përkundër shumë thatësive, toka kurrë nuk zhgënjehet me kohën.”
Poashtu thotë: “Uji që rrjedh nga lumi padyshim që do të kthehet në të.”
Psikologët deklarojnë se besimi i njeriut më së miri pasqyrohet kur njeriu në begati kryen veprime të dobishme, kurse në sprova është i përmbajtur.