Emocionet mund të trazohen dhe të bëhen tejet të vrullshme në dy raste: gjatë gëzimit të tepruar dhe gjatë dhembjes apo vuajtjes së tmerrshme.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), në një hadith thotë: "Më janë ndaluar dy klithje të pa frenuara dhe mëkatare: klithja për shkak të ndonjë të mire; dhe klithja për shkak të fatkeqësisë."
Lavdiploti në Kuran na këshillon:
"Që të mos pikëlloheni për atë që u ka kaluar, por edhe të mos gëzoheni tepër me atë që Ai ua ka dhënë. Allahu nuk i do fare grindavecët e mburravecët."
Pikërisht për këtë arsye i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), na ka paralajmëruar me fjalët: “Durimi shprehet me goditjen e parë (të fatkeqësisë apo të sprovës)."
Ai që i frenon emocionet me rastin e fatkeqësive të rënda, goditjeve të fatit, por edhe gëzimit të tepruar, meriton të jetë në nivel të durimtarëve dhe të trimave. Njeriu i tillë fiton lumturi të vërtetë dhe prehje si dhe e përjeton ëmbëlsinë e fitores ndaj vetvetes.
Allahu i Madhërishëm, Krijuesi dhe Zoti ynë, njeriun e përshkruan si mburravec dhe indiferentë. Kur e godet ndonjë e keqe, është i brengosur, ndërsa kur është mirë, është i paprekshëm, pos atyre që kryejnë namaz. Ata i përmbahen mesit dhe maturisë edhe në lumturi e edhe në vuajtje. Kur janë në bollëk, falënderojnë, kur i godet ndonjë sprovë, përmbahen.
Ndjenjat e pakontrolluara, të nxituara dhe të tepruara e rëndojnë njeriun, i shkaktojnë dhembje dhe shqetësim. Kur personi i tillë hidhërohet, ai bëhet i dhunshëm, i zemëruar, armiqësor dhe mizor. Në këto situata mendja humb kontrollin, ndjesinë për drejtësi dhe balancim.
Mirëpo, nëse njeriu i dorëzohet gëzimit të tepruar, vallëzon, këndon, harron veten dhe mbivlerëson aftësitë e tij. Kur i drejtohet dikujt që nuk i pëlqen, harron vetitë e tija të bukura dhe mirësinë. Kur ndonjërin e dashuron, e konsideron të përsosur dhe të përkryer.
Në një transmetim tjetër thuhet: "Kur dikë e do, kjo duhet të jetë në masë, ngase mund të ndodhë që ta urresh. Kur dikë e urren, kjo duhet të jetë në masë sepse mund të ndodh ta duash pastaj."
Ai që i frenon dhe i kontrollon emocionet e veta si dhe arrin ta ruaj gjykimin e tij, di të vendosë balancë midis gjërave dhe ka masë për çdo gjë. Njeriu i tillë e di çka është e vërtet, ka ndjesi për rrugën e drejtë dhe jeton në realitet.
"Ne të Dërguarit Tanë i dërguam me argumente të qarta dhe përmes tyre shpallëm libra dhe peshore, që njerëzit të veprojnë me drejtësi."
Islami ka sjellë shkallë të balancuar dhe harmonike të vlerës, etikës dhe moralit. Kjo fe, gjithashtu bart në vete porosi të barazisë, ligjin Hyjnor dhe porosi të shenjta.
"Dhe kështu prej jush krijuam një popull të drejt të jeni dëshmitarë kundër njerëzve të tjerë dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar kundër jush. Dhe Ne e ndryshuam kiblen drejt së cilës je drejtuar më parë vetëm për të dalluar ata që do ta ndjekin të Dërguarin si dhe ata që do të kthehen pas nëpër gjurmët e tyre e për disa kjo ishte vërtetë e vështirë, por jo edhe për ata të cilëve Allahu ua tregoi Rrugën e drejtë. Allahu nuk do të lejojë të dëshmojnë lutjet tuaja. – Ndërsa Allahu është vërtet i butë dhe i mëshirshëm ndaj njerëzve."
Këtu vëmendje të posaçme meriton ajeti i parë dhe fjalët e Allahut që muslimanët janë "popull i drejtë", gjegjësisht popull mesatar. Kështu në Islam e drejta dhe drejtësia kërkohen si në dispozita, ligje, ashtu edhe në praktikë. Kjo fe është ndërtuar mbi sinqeritet, vërtetësi dhe drejtësi. E vërteta kërkohet në fjalë, kurse e drejta në dispozita, fjalë, vepra, sjellje dhe etikë. Për Zotin tënd të vërtetat dhe të drejtat janë në rend të parë;
"Fjalët e Tij s’mund t’i ndryshojë askush dhe Ai dëgjon gjithçka, si dhe di çdo gjë."