Kur njeriu i dorëzohet librit të Allahut, shpirti i tij qetësohet dhe prehet. Prandaj lexo Kuran dhe kënaqu në bukuritë e tij, dëgjo se si recitohet nga lexues të mirë. Krejt kjo do të afrojë te kënaqësia e Allahut, andaj zemra dhe shpirti do të forcohen me udhëzim dhe qetësi.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kishte dëshirë të dëgjonte të tjerët duke e lexuar Kuranin. Kjo ndikonte shumë tek ai. Shpesh u kërkonte shokëve të tij që t`i lexojnë dhe t`i recitojnë përmendësh nga Kurani, sa herë që i vinte shpallja nga Zoti i Tij, ishte shumë i kënaqur dhe i lumtur për këtë.
Ja një shembull i bukur si mund t`i shfrytëzosh minutat e lira të ditës dhe të natës tënde. Ndize radion dhe dëgjo fjalët melodike të Kuranit, ngase ato janë fjalët e Zotit të lartësuar dhe ato lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrën e atij që i dëgjon.
Mjafton të dëgjosh zhurmën e qytetit dhe zallahinë e njerëzve për të qenë i shqetësuar, i hutuar dhe i ngatërruar, si dhe për ta humbur fuqinë. Qetësia dhe shpëtimi i vërtetë janë vetëm në librin e Allahut.
"Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen – kurse zemrat vërtet qetësohen, kur përmendet Allahu!"[1]
Abdullah ibën Mes`udi (Allahu qoftë i kënaqur me të), kërkonte nga shokët e vet t`ia lexojnë suren Nisa dhe qante gjithnjë gjatë gjithë leximit të saj.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kishte kaluar pranë Ebu Musa Eshariut, i cili ishte duke lexuar Kuran, andaj qëndroi për të dëgjuar. Të nesërmen i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i tha: "A më pe që po dëgjoja leximin tënd?”
"Sikur ta dije që po më dëgjon, o i Dërguar i Allahut, do të lexoja sa më mirë që di", u përgjigj Ebu Musai.
Ebu Hatimi transmeton që i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kishte kaluar pranë një plake e cila po lexonte Kuran e u ndal dhe e dëgjoi në qetësi çka po lexonte. Ajo e lexoi suren Gashije, andaj i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i tha: "Sa pamje e mrekullueshme që është!"
Dëgjimi i Kuranit është adhurim dhe kënaqësi.
Një shkrimtar i shquar Islam kishte udhëtuar nëpër Evropë me anije. Me të ishte edhe një grua nga Ballkani, e cila po ikte nga persekutimi komunist. Ishte e premte dhe disa muslimanë ishin mbledhur për ta falur namazin e xhumasë. Ai ishte imam dhe hatib, andaj e mbajti hytben dhe ua fali namazin duke recituar para tyre suren Gashije dhe A'la. Gruaja në fjalë shikoi gjithçka pa fjalë dhe në heshtje. Pas namazit pyeti çka ishin ato fjalë të mrekullueshme, ngase nuk e dinte gjuhën arabe. Shkrimtari ia sqaroi që këto ishin fjalët e Allahut, Zotit të botëve dhe ajo mbeti e magjepsur dhe e habitur.
"Thuaj: 'Sikur do të bashkoheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për ta hartuar një Kuran të këtillë, ata, si ky, nuk do të mund ta hartojnë, edhe nëse e ndihmojnë njëri tjetrin.' Ne në këtë Kuran u sqarojmë njerëzve shembuj të ndryshëm, por numri më i madh i njerëzve assesi nuk duan ta besojnë."[2]
Kurani ka pushtet mbi zemrat, pushton intelektin dhe ndikon fuqishëm në shpirt.
Unë jam habitur shumë me lajmet e brezave të hershëm prej muslimanëve, nga ndikimi i madh i Kuranit tek ta, si dhe nga sinqeriteti dhe përkushtimi i madh i tyre ndaj veprimit sipas Kuranit.
"Sikur këtë Kuran do t’ia shpallnim një mali, ti do ta shihje se si ai është plot adhurim dhe se do të shpërblehej nga frika prej Allahut. Këta shembuj u përmendim për njerëzit që të mendojnë."[3]
Ali ibën Fudajl ibën Ijadi kishte vdekur nga trishtimi kur e dëgjoi babain e tij teksa po recitonte ajetet:
"Dhe pa dyshim, ata do të pyeten:'Ç’keni, përse nuk i ndihmoni njëri tjetrit?'"[4]
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), shpesh ndalej te ndonjë ajet, i cili i linte shumë përshtypje. Sëmurej për shkak të porosisë së ajetit dhe gjatë tërë muajit ishte i sëmurë rëndë. Këtë e citon Ibën Kehtiri.
"Sikur me një Kuran do të lëviznin malet ose do të thërrmohej Toka ose do të flisnin të vdekurit; Allahut i takon çdo gjë! Po si nuk e dinë besimtarët që Allahu, vetëm po të dëshironte, të gjithë njerëzit do t’i udhëzonte në Rrugë të drejtë. Kurse jobesimtarët vazhdimisht do të goditen nga fatkeqësitë ose do të ndodhen në afërsi të vendeve të tyre, për shkak të asaj çka punojnë – gjersa të mos përmbushet kanosja e Allahut. Allahu, me siguri, e mban premtimin."[5]
Abdullah ibën Vehbi (Allahu qoftë i kënaqur me të), kishte kaluar pranë një djali, i cili po lexonte një ajet nga Kurani që bënte fjalë për vuajtjet e Xhehenemit dhe i ra të fikët. E dërguan në shtëpi ku lëngoi tri ditë dhe më pastaj vdiq ditën e katërt. Këtë ngjarje e transmeton Dhehebi.
Një dijetar i shquar më ka treguar se njëherë gjersa po falej në Medine kishte dëgjuar imamin duke lexuar suren Zelzele, pas kësaj e kishte kapluar një frikë dhe ethe të çuditshme.
"Ani fjalët e kujt, nëse jo të Kuranit, do t’i besoni?! "[6]
Mirëpo, çfarë lidhje ka krejt kjo me temën tonë për lumturinë?
Angazhimet e përditshme, tollovia dhe zagushia njeriut i shkakton huti, depresion dhe shqetësim. Kjo deprimon dhe e shter fuqinë e tij. Por, kur tërhiqet në qetësi, lexon dhe përsiat për fjalët e Zotit të tij, i kthehet arsyeja, bëhet i qetë dhe i gëzuar.
Këtu posaçërisht i paralajmëroj ata që e marrin muzikën për qetësim ose përmirësim të disponimit, e të cilët madje shkruajnë libra dhe studime për këtë. Ata pohojnë se momentet më të mira për qetësim janë ato që i kaloni me muzikë dhe duke iu dorëzuar vetëm toneve të saj. Por, kjo nuk është e vërtetë dhe është metodë e gabuar.
"Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm me fërshëllima dhe rrahje duarsh. Prandaj atyre do t’u thuhet: “Provojeni ndëshkimin, pasi kurrë nuk besuat!"[7]
"Me kryelartësi! Ju flisnit kotësira për Kuranin, si dikush që rrëfen natën përralla."[8]
Ky është akti më i paarsyeshëm dhe njëkohësisht është mëkat. Dëgjimi i muzikës nuk lejohet, ngase te muslimanët mirësia më e madhe është në Kuran, librin të cilin Allahu ia ka shpallur të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Në këtë libër nuk ka kurrfarë dyshimi, si dhe këtë libër nuk mund ta mjegullojë asnjë e keqe dhe e pavërtetë.
"Kurse, ai është vërtet libër i mbrojtur, gënjeshtrën e ka të huaj, nga çdo anë qoftë, ai është Shpallje nga i Urti dhe Lavdiploti."[9]
Dëgjimi i Kuranit është pjesë e besimit që mund të sjellë vetëm dobi dhe të mira.
"Kur dëgjojnë atë çka i shpallet të Dërguarit, shikon se si derdhin lot nga sytë ngase e dinë që kjo është e Vërtetë, andaj deklarojnë: ‘Zoti ynë, ne besojmë, andaj na shëno edhe neve në mesin e atyre që kanë dëshmuar. Përse të mos e besojmë Allahun dhe të Vërtetën e cila na vjen, kur edhe ne mezi presim që edhe neve Zoti të na futë në mesin e njerëzve të mirë.' E Allahu, për atë çka deklarojnë, si shpërblim do t’u japë kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilat do të rrjedhin lumenj, në të cilat do të qëndrojnë përgjithnjë; e ky do të jetë shpërblim për ata që kryejnë vepra të mira."[10]
Nga ana tjetër, ata që dëgjojnë muzikë, janë në rrugë të paditurisë, të fanitjeve dhe të mashtrimit.
"Ka njerëz të cilët blejnë tregime për argëtim, në mënyrë që, pa ditur çfarë mëkati është, të largojnë nga rruga e Allahut dhe duke e marrë si objekt për të qeshur. Ata i pret një ndëshkim i turpshëm."[11]