Janë një grup njerëzish që zakonisht lodhen me problemet e botës. Ata edhe kur gjenden në shtrat mundohen të organizojnë botën dhe rrethanat në të, ndonëse nuk mund të bëjnë asgjë. Ata thjesht treten në ngjarjet e mëdha që i rrethojnë. Janë të zemëruar kur bëhet ndonjë shtrenjtim në vend. Janë të vrenjtur kur nuk ka shi. Bëjnë zhurmë kur devalvon valuta në shtetin e tyre. Të tillët janë në telashe dhe në shqetësime të përhershme.
"Dhe mendojnë se çdo britmë është kundër tyre."
Prandaj, të këshilloj që të mos shqetësohesh për shkak të gjithë atyre problemeve ekzistuese në tokë. Lëri që disa gjëra thjeshtë të ndodhin, e që ti të mos brengosesh dhe të mos mendosh për to. Disa njerëz e kanë zemrën si sfungjeri, ajo i pi të gjitha zërat dhe lajmet e dyshimta, shqetësohet për shkak të imtësive, fërgëllon nga tregime të ndryshme dhe merakoset për çdo gjë. Zemra e tillë mund ta thyejë tërësisht pronarin e vet dhe t’ia rrënojë jetën.
Njerëzit të cilët kanë qëndrim të arsyeshëm ndaj jetës dhe që e ndjekin të vërtetën i shfrytëzojnë porositë dhe këshillat, gjë që ua shton besimin. Nga ana tjetër, ngjarjet dhe ndodhitë e ndryshme vetëm shtojnë shqetësimet te personat nervozë dhe naivë. Prandaj, zemra e guximshme është më e dobishme në luftë kundër vështirësive dhe situatave stresuese.
Personi i guximshëm dhe që s’ka frikë është i patundur, me bindje të fortë, zemërgjerë, i qetë dhe i matur, gjersa qyqari "vdes" disa herë në ditë për shkak të pritjeve, frikës, brengës e iluzioneve të shumta. Nëse dëshiron jetë të qetë, atëherë ballafaqohu me realitetin me guxim dhe ftohtësi, mos të mashtrojnë ata të cilët nuk besojnë dhe mos të mundojnë ajo çka intrigojnë ata. Bëhu më i fortë sesa ngjarjet, më i fuqishëm sesa shtrëngata e krizat dhe më i qëndrueshëm sesa presionet. Të mjerët ata që i kanë zemrat e dobëta dhe të shqetësuara, ata i frikon çdo ditë e re.
"Dhe do të duken, me siguri, që e duan jetën më shumë se të gjithë njerëzit tjerë"
"Kurse janë të guximshëm ata që besojnë në mbrojtjen e Allahut dhe janë të sigurt për premtimin e Tij, e pastaj Allahu lëshoi mbi ta qetësi."