Një prej gjërave më të dobishme dhe më primare sot është shfrytëzimi i kohës dhe krijimi i shprehisë të kryerjes së veprave të mira dhe të dobishme. Kur i ndihmojmë të tjerët, e bëjmë një vepër të mirë, kur i mësojmë diç dhe u ndihmojmë, do të ndjejmë lumturi të vërtetë. Kur ta kuptojmë se në këtë botë nuk jemi rastësisht, siç nuk jemi krijuar pa qëllim dhe se krejt kjo nuk është lojë, do të ndjejmë lumturinë e vërtetë.
Duke lexuar librin El-Alam nga Zerkeliu, kam vërejtur se në të janë përmendur shumë dijetarë, politikanë, mendimtarë, njerëz të urtë, doktorë dhe shkrimtarë nga Lindja e Perëndimi. Të gjitha ata kanë qenë jashtëzakonisht shumë të njohur. Në të gjitha jetëshkrimet e tyre e kam vërejtur ligjin e Allahut dhe premtimin që u ka dhënë robërve të Vet. Këto janë fjalët se ata që përpiqen vërtet dhe luftojnë për një vlerë të kësaj bote - do ta arrijnë. Kjo përfshinë famën, pasurinë dhe pozitën në dynja. Nga ana tjetër, të gjitha ata që e synojnë shpërblimin e ahiretit, do ta gjejnë edhe në këtë edhe në botën tjetër. E kjo është kënaqësia, pranimi i veprave dhe shpërblimi i Allahut.
"Atij që e do këtë botë, Ne i japim shpejt çka dëshirojmë dhe kujt dëshirojmë, por pastaj do t’ia përgatisim Xhehenemin, në të cilin do të piqet i turpëruar dhe i braktisur. Ndërsa ai që e do botën tjetër dhe përpiqet ta meritojë atë, e është besimtar, mundi do t’i shpërblehet. Të gjithë atyre, edhe ta parëve e edhe të dytëve, u japim shpërblime nga Zoti yt; kurse shpërblimet e Zotit tënd nuk i janë ndaluar askujt."[1]
Në librin e lartpërmendur, gjithashtu, kam hasur se gjenitë e kësaj bote, të cilët njerëzimit i kanë dhuruar shpikje të mëdha dhe të dobishme nuk kanë ditur për botën tjetër. Ata nuk e kanë besuar Allahun, e as takimin me Të. I kanë lumturuar të tjerët më shumë se vetveten, të tjerëve u kanë lehtësuar punë më shumë se vetvetes. Kështu, disa prej tyre, në fund kanë kryer vetëvrasje, disa kanë qenë të pakënaqur me jetën e tyre, e disa kanë jetuar në dëshpërim dhe në vështirësi të thellë.
Atëherë shtrova pyetjen: "Çfarë dobie është ajo t’i bëj të tjerët të lumtur, kurse unë të mbetem i pakënaqur, t’i ndihmoj të tjerët, por jo edhe veten?"
Dëshpërimi të lodhi, e shumë i ke ndihmuar,
je me lot në sy, e shumë ke gëzuar.
E kuptova, gjithashtu, se Allahu të gjithë këtyre personaliteteve u ka dhënë atë që e kanë dëshiruar. E përmbushi premtimin e Vet. Pra, të gjitha kanë marrë shpërblim ngase këtë e kanë dëshiruar dhe synuar. Disa kanë qenë me famë botërore ngase e kanë synuar atë. Disa janë bërë shumë të pasur ngase ky ka qenë qëllimi i vetëm i tyre në jetë. Porse, ka pasur edhe robër të mirë të Zotit të cilët janë shpërblyer në këtë botë edhe në botën tjetër, me ndihmën e Tij. Ata e kanë dashur vetëm kënaqësinë e Allahut dhe mirësinë e Tij.
Nga kjo gjithsesi e kuptojmë se ai që i përkushtohet Rrugës së drejtë është shumë më i lumtur se njerëzit, qëllimi i të cilëve është fama, pozita dhe paratë.
Një bari i zakonshëm në gadishullin e Arabisë është më i lumtur me Islamin e tij se sa për shembull, Tolstoi, shkrimtari i madh rus. I pari e ka kaluar jetën i lumtur, i qetë dhe i kënaqur, duke ditur ku do të shkon. Kurse i dyti ka bërë një jetë të hidhur, të pikëlluar dhe rraskapitëse, pa ditur ku do të përfundojë.
Muslimanët e kanë ilaçin më të mirë dhe më efikas për mbarë njerëzimin. Ky është besimi në përcaktimin e Zotit, kada dhe kader.
Njerëzit e urtë kanë deklaruar: "Jobesimtarët kur nuk mund të jenë të kënaqur ngase e mohojnë përcaktimin e Zotit."
Lidhur me këtë është folur shumë në faqet pararendëse dhe e kam përshkruar në detale këtë fenomen. Këtë e kam bërë qëllimisht, ngase e di, nga përvoja personale dhe përvoja e shumë të tjerëve, se jemi të kënaqur me përcaktimin e Zotit vetëm kur ndodhë diç që e dëshirojmë. Kur është fjala për diçka që nuk na pëlqen, atëherë zemërohemi me përcaktimin e Tij. Por, kushti nga Shpallja është që të "besojmë në përcaktimin e Zotit, qoftë ai i mirë apo i keq për ne."