"Secili drejtohet kah kibla e tij, kurse ju përpiquni që t’i tejkaloni të tjerët me vepra të mira! Kudo qofshi, Allahu do t’u tubojë, - Allahu, vërtet mund të bëjë çka të dojë."[1]
"Dhe çdo vëllazëri e dinte nga cili burim duhet pirë."[2]
"Ai bën që të zëvendësoni njëri tjetrin në Tokë dhe Ai ju lartëson njërin mbi tjetrin në pozitë për t’u vënë në sprovë me atë që ju dhuron, Zoti yt, vërtet, ndëshkon shpejt, por Ai, vërtet, falë shumë dhe është i mëshirshëm."[3]
Njerëzit kanë shumë aftësi, shkathtësi, fuqi dhe afinitete.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kishte një shumësi vetish mahnitshme, ndërsa njëra prej tyre ishte që shokëve të vet (Allahu qoftë i kënaqur me ta), u besonte detyra dhe misione të ndryshme në bazë të aftësive dhe gatishmërisë së tyre.
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të), ishte i angazhuar për legjislacion;
Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të), për dituri;
Ubeji (Allahu qoftë i kënaqur me të), dhe Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të), për obligacione;
Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të), për luftë dhe ushtri;
Hasani (Allahu qoftë i kënaqur me të), për poezi dhe Kajs ibën Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të), për oratori.
Është dëm të flitet për paqe aty ku shkallmojnë shpatat,
e të vërvitet me shpatë aty ku njerëzit i janë përkushtuar paqes.
Shkrirja me identitetin e dikujt tjetër është baras me vetëvrasje. Ndërsa nëse kjo është masive, atëherë këtë tablo mund ta krahasojmë me një vrasje të madhe.
Dallimi midis njerëzve dhe afiniteteve të tyre si dhe dallimi i gjuhëve e ngjyrës te njerëzit hyn në argumentet e Zotit. Nëse i shikojmë sahabët, do të shohim se si Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të), me butësinë dhe urtësinë e tij me shumëçka e ka begatuar umetin dhe botën.
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), e ka ndihmuar gjithashtu Islamin edhe ithtarët e tij me vendosmërinë, këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e tij.
Prandaj, duhet të jesh i kënaqur me afinitetet që t’i ka dhuruar Allahu Mëshirëplotë. Këto afinitetet duhet zhvilluar, përparuar, shfrytëzuar dhe kënaqur me to.
"Allahu asnjërin nuk e rëndon mbi mundësitë e tij."[4]
Me ndjekje të verbër dhe imitimit të paarsyeshëm të ndonjë personi tjetër e shkatërrojmë veten dhe i varrosim afinitetet tona. Në këtë mënyrë e mbysim vullnetin tonë, e shuajmë personalitetin tonë dhe veçantinë e dhuruar nga Krijuesi.