Allahu i lartësuar thotë: "Allahu të jep furnizim prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë."[1]
Tani do të citojmë një fragment shumë të bukur nga libri i Tenuhit Shpëtimi pas të këqijave.
Një njeri ishte gjendur në një situatë tejet të vështirë. Nuk kishte asgjë për jetë, as ai e as familja e tij. Pasi që kishin qenë dy ditë të uritur dhe pa asnjë kothere bukë, gruaja i tha të shkonte të gjente diç për ushqim ngase po u afrohej vdekja. Pas një kërkimi të gjatë dhe të pasukses, burrit iu kujtua një plakë të cilën e kishte farefis dhe shkoi tek ajo. Ajo i dha një peshk të vjetër ngase as për vete nuk kishte më shumë. Kur burri u kthye në shtëpi dhe e pastroi peshkun, në barkun e tij gjeti një xhevahir. E shiti xhevahirin dhe shkoi te plaka, e cila mori vetëm një pjesë të vogël. Pas kësaj e furnizoi shtëpinë dhe u sigurua mirë për jetë duke e falënderuar Mëshirëplotin për mirësinë të cilën ia kishte shfaqur.
"Çdo e mirë që e keni është nga Allahu."[2]
"Ai u përgjigjet gjithnjë kur e ftoni."[3]