"Nuk ka e keqe që e godet Tokën dhe juve, e cila, para se ta lëshojmë, nuk është shkruar në Libër, - kjo për Allahun është vërtet e lehtë."
"Penat janë tharë, Libri është mbyllur, gjërat janë përcaktuar dhe fatet janë shkruar. Thuaj: Do të ndodhë vetëm ajo që e ka caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë."
Ajo që të ka ndodhur nuk ka mundur të të anashkalojë, kurse ajo që të ka anashkaluar nuk ka mundur të të ndodhë. Nëse kjo bindje ngulitet në shpirtin dhe në ndjenjat tuaja, sprovën do ta përjetosh si dhuratë, vuajtjen si mirësi dhe të gjitha ngjarjet si shenja të dashurisë së Allahut, "ngase atë që Allahu i lartësuar e do, Ai ka për ta sprovuar."
Në këtë rast nuk do të shqetësohesh për shkak të sëmundjes, vdekjes së shpejtë, problemeve me para ose humbjes së shtëpisë. Kështu e ka përcaktuar Krijuesi, ky është fati i shkruar. Kjo është zgjedhja e Allahut me të cilën ti ke fituar shpërblim dhe me cilën të janë shlyer mëkatet. Le të jenë të lumtur ata që goditen nga vuajtjet, andaj ata përmbahen dhe janë të kënaqur me përcaktimin e Atij, i Cili jep dhe merr.
"Ai nuk do të pyetet për atë që bën, por ata do të pyeten."
Përderisa të mos e besosh përcaktimin e Zotit - kadanë dhe kaderin, nervat tua nuk do të qetësohen, shpirti yt nuk do te prehet, e as mëdyshjet nuk do ta braktisin zemrën. Penat tashmë e kanë shkruar atë që do të ndodhë, andaj mos e trazo shpirtin. Mos pandeh se pikërisht ti ke mundur të bësh diçka që të mos rrëzohet muri, të mos derdhet uji, të mos fryjë era dhe të mos thyhet xhami. Sado që e dëshirojmë këtë, kjo nuk është e saktë. Ajo që është caktuar do të ndodhë dhe e shkruara do të realizohet.
"Andaj kush të dojë – të besojë, e kush të dojë – të mos besojë!"
Dorëzohu fatit para se të shkelë ushtria e zemërimit, e kujës dhe e qortimit. Pranoje përcaktimin e Zotit - kadanë dhe kaderin para se të vërshojë llumi i pendimit. Prandaj, bëhu i qetë kur të ndërmarrësh dhe të kryesh diç, ndërsa ndodhë ajo nga se ke pasur frikë, ngase ajo është dashur të ndodhë.
Kurrë mos thuaj: "Sikur të kisha bërë kështu apo ashtu, do të ishte ndryshe. Por deklaro: Ka ndodhur ajo që e ka përcaktuar Allahu."