Transmetohet se Ahmed ibën Hanbeli e kishte vizituar Beka ibën Muhaledin gjersa ky ishte i sëmurë dhe i kishte thënë: "O Abdurahman, gëzohu për shpërblimin e Allahut. Njerëzit janë ta atillë që, kur janë të shëndoshë, nuk mendojnë për sëmundjen, kurse kur sëmuren, nuk u shkon mendja për shëndetin."
Me këtë dëshirohet të thuhet që njeriu, gjersa është i shëndoshë, nuk i vjen ndërmend fare sëmundja. Atëherë ai është shumë i vendosur, plotë shpresë dhe ambicie. Mirëpo, kur të sëmuret, ai assesi nuk pandeh për shëndetin. Në shpirt i depërton pikëllimi dhe dobësia, ai zhytet në pikëllim dhe është i pashpresë. Këto fjalë të imam Ahmedit sikur janë marrë nga ajetet e Kuranit në të cilat thuhet:
"Nëse njeriut ia falim mëshirën Tonë, e pastaj ia ndalojmë, ai zhytet në depresion dhe bëhet mosmirënjohës. E nëse e mbulojmë me të mira, pas të këqijave që i kishte ndodhur, me siguri do të deklarojë; U lirova nga vështirësitë! Ai është vërtete mendjemadh dhe mburravec, ndërsa vetëm të përmbajturit dhe ata që kryejnë vepra të mira meritojnë falje dhe shpërblim të madh."[1]
Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë), deklaron: "Në këto ajete, Allahu na informon për vetitë e këqija të njeriut nga të cilat janë privuar vetëm muslimanët e sinqertë. Këto janë vetitë e depresionit dhe të pikëllimit kur i godet ndonjë e keqe pas kënaqësisë. Atëherë njeriu e mohon dhe refuzon gjithçka që ka kaluar dhe fitohet bindja se kurrë në jetën e tij nuk ka parë ditë të mirë dhe se kurrë nuk ka qenë i lumtur."
Kur e gëzon jetën, njeriu deklaron: "Të këqijat mua nuk më arrijnë!"
Në të vërtetë, në atë moment mendon se më kurrë nuk mund ta godasë ndonjë e keqe apo telash dhe bëhet vërtet trimosh dhe kryelartë. Kryelartësinë dhe krenarinë e prezanton me bujë para të tjerëve dhe pandeh se të gjitha të mirat ndodhen në duart e tij.
Mirëpo, Allahu i lartësuar, thotë:
"Por vetëm durimtarët dhe ata që kryejnë vepra të mira meritojnë falje të mëkateve dhe shpërblim të madh."[2]