Këto janë dy begati të mëdha dhe të vlershme të cilat njeriu duhet t’i shfrytëzojë në bindje ndaj Allahut. Telashet e njeriut fillojnë kur e shpërfill shëndetin dhe e shpenzon në mënyrë të paarsyeshme dhe në kotësira kohën e tij. Duhet ditur se nuk do të kemi gjithnjë kohë të lirë dhe mundësi ta plotësojmë me vepra të mira, si as trup të shëndoshë, i cili është me rëndësi të madhe në rrugën e Allahut. Numri më i madh i njerëzve këto vitet e fundit nuk mund assesi të ngushëllohet pikërisht me këto dy gjëra: shëndetin dhe kohën e lirë.
Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka deklaruar: "Mashkulli në kohën e lirë bëhet i shkujdesur, kurse gruan e kaplon lakmia."
Bezerxhemheri ka deklaruar: "Puna sjell vuajtje dhe dobi, kurse kotësia sjell çdo pësim."
Njerëzit e urtë kanë paralajmëruar shpesh për kotësinë dhe humbjen e kohës, si dhe kanë treguar se është vdekje për shpirtin e njeriut.
Një njeri i shquar ka deklaruar: "Çdo ditë bëj diç të dobishme dhe ke kujdes nga shkapërdarja e pasurisë. Koha është shumë e shkurtër për ta humbur, kurse pasuria është shumë pak për ta shkapërdarë. Njeriu i mençur shfrytëzon ditën e vet ngase e di se ajo kurrë më nuk do të përsëritet, as rastet për vepra të mira gjatë kësaj dite."
Edhe më impresive janë fjalët e Isait (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i cili deklaron: "Bamirësia është ndërtuar nga tri gjëra: fjalët, mendimet dhe heshtja. Kush flet diç tjetër pos dhikrit, të përmendurit e Allahut, flet keq. Kush përsiat cekët nuk është i mençur, por edhe kush hesht por nuk përsiat."