Mëshira dhe mirësia e Allahut janë afër njeriut. Ai dëgjon gjithçka dhe i përgjigjet çdo thirrjeje. Ne jemi në humbje dhe shumë të varur nga Krijuesi. Prandaj duhet ta thërrasim vazhdimisht dhe t’i drejtojmë lutje vetëm Atij. Asnjëri prej nesh nuk duhet të lodhet nga duatë dhe lutjet. Askush nuk duhet të deklarojë: "Kam bërë dua të shumta, por asgjë nuk ka ndodhur. Nuk më është pranuar asnjëra."
Duhet t’i dorëzohemi tërësisht Zotit, të jemi tërësisht të përulur dhe devotshëm dhe të deklarojmë fjalët: "Ja dhul xhelali vel ikram."
Vazhdimisht duhet t’i përmendim emrat dhe vetitë e bukura të Zotit në mënyrë që Lavdiploti t’na përgjigjet dhe t’na japë atë që është më e mirë për ne.
"Lutuni me përulje dhe në vete Zotit tuaj, Ai nuk i do ata që luten me zë të lartë."[1]
Një thirrës i shquar më ka treguar një rrëfim për një musliman i cili ishte strehuar në një vend të huaj dhe atje kaloi shumë kohë. Një herë vendosi të kërkojë shtetësinë e atij vendi, por nuk hasi në miratim. U përpoq këtë ta realizojë përmes miqve dhe të njohurve të tij, por gjithçka ishte e kotë. Kur kishte humbur çdo shpresë, iu drejtua një dijetari dhe u ankua për problemet e veta. Duke dëgjuar rrëfimin e tij, dijetari i tha: "Falu dhe lute Allahun në pjesën e tretë të natës ngase atëherë Mbrojtësi yt i plotëson lutjet."
Kjo, gjithsesi, është interpretimi i hadithit në të cilin i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë: "Kur kërkon diç, kërko nga Allahu, kur ke nevojë për ndihmë, lute Allahun. Dije se sikur do të tuboheshin të gjithë njerëzit për ta bërë ndonjë të mirë, nuk do të mund të bënin asnjë të mirë pos asaj që të ka caktuar Allahu."
Pas kësaj, ky njeri braktisi lutjet e miqve dhe të njohurve të tij dhe pjesën e tretë të natës e kalonte duke bërë ibadet, dhikër dhe dua. Pas vetëm disa ditësh, dërgoi një kërkesë të zakonshme për shtetësi pa kurrfarë ndihme nga askush. Së shpejti i erdhi përgjigja në të cilën ftohej të vinte për ta marrë shtetësinë aq të kërkuar.