Çdonjëri që ka shumë miq është njeri i lumtur ngase e lumturon dashuria dhe respekti i të tjerëve.
Ibrahimi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e recitonte lutjen: "Bën që të tjerët të më kujtojnë vetëm për mirë."[1]
Komentatorët e Kuranit kanë deklaruar që fjala mirë nga ajeti nënkupton bukur, kujtim dhe lavdërim.
Allahu Musait (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i ka thënë: "Dhe Unë kam bërë që çdonjëri të dojë dhe të rritesh në sytë e Mi."[2]
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: "Ju jeni dëshmitarë të Allahut në Tokë."
Gjuhët tona duhet të flasin vetëm fjalë të mira dhe të moralshme, ne duhet të jemi penat e së vërtetës, të cilat këtë botë do ta përshkruajnë me të mirë.
Udhëtimet dhe vizitat në vende të ndryshme e lumturojnë njeriun dhe e qetësojnë shpirtin e tij. Lidhur me këtë kemi folur pak në fillim të librit. Allahu në Kuran na fton që të udhëtojmë nëpër Tokë dhe të marrim mësim nga vendet që i vizitojmë.
"Para jush ka pasur dhe janë zhdukur shumë popuj, andaj udhëtoni nëpër botë dhe shikoni si kanë përfunduar ata të cilët të Dërguarit i konsideronin gënjeshtarë. Ky është shpjegim për të gjithë njerëzit dhe udhëzim e mësim për ata që kanë frikë nga Allahu. Dhe mos e humbni guximin e mos u pikëlloni; ju do të ngadhënjeni nëse jeni besimtarë të vërtetë."[3]
Në një hadith autentik thuhet: "Xhibrili (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), i fton banorët e qiejve dhe i porosit: ‘Allahu e do filan njeriun’, kështu edhe ata e duan atë, pastaj ai pranohet dhe admirohet nga banorët e Tokës."
Fytyra e qeshur, fjala e bukur dhe e butë si dhe edukata e mirë janë vetëm disa kushte të dashurisë. Në të vërtetë, mirësia dhe mëshira ndaj të tjerëve është bazë e çdo miqësie dhe e çdo shoqërimi.
Prandaj i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: "Ku ka mirësjellje e zbukuron atë, e ajo që është e privuar nga mirësia bëhet e shëmtuar."
Në një hadith tjetër thuhet: "Ai që nuk është i sjellshëm nuk ka asnjë mirësi në vete."
Një njeri i urtë ka thënë: "Mirësjellja e largon edhe gjarprin nga foleja."
Në Perëndim njerëzit deklarojnë: "Merre mjaltin por mos e dëmto kosheren."
Në një hadith autentik thuhet: "Besimtari është si bleta, ajo ushqehet me të bukura, jep fryt të bukur dhe kur lëshohet mbi një lule, nuk e dëmton atë."