Njeriu i cili e synon lumturinë dhe qetësinë mund të shikojë rrugëdalje të shumta rreth vetes që e orientojnë kah e vërteta dhe Rruga e drejtë.
Njeriu i ditur sa herë që mëson diç të re ndjehet më mirë dhe më i lumtur, njësoj si xhevahiri, i cili kur rëndohet, zhytet më shumë në thellësitë e detit.
"O besimtarë, kur u thuhet: 'Bëni vend të tjerëve aty ku rrini ulur ', bëni ju, pastaj edhe ju do t’u bëjë vend Allahu; por kur u thuhet: 'Ngrihuni', ju ngrihuni dhe Allahu do t’i lartësojë në nivele të larta ata prej jush të cilët besojnë dhe të cilëve u është dhuruar dituri. – Ndërsa Allahu e di mirë atë çka bëni."[1]
Çdo shtim i diturisë shpie në besim më të fortë dhe në përkushtim më të madh ndaj Allahut. Sa më shumë që di, besimtari është gjithnjë më mirënjohës dhe më i bindur. Është më i përmbajtur dhe më i qëndrueshëm, e kontrollon të folurit, zemrën e ka stabile, është gjithnjë në kujdes dhe në llogaritje dhe në kontroll të përhershëm të vetvetes sikurse zogu që është i kujdesshëm, sa herë që kalon nga një pemë në tjetrën, sigurohet se mos e pret ndonjë rrezik. Sa më shumë që rritet në moshë, i shfaqet mungesa e pasionit dhe e di me siguri se ai pothuajse ka përfunduar, e ka arritur kulmin dhe e ka mbikëqyrë luginën e pasigurisë. Sa më shumë që pasurohet e shton bujarinë e tij, sepse paratë janë të zhveshura, e vetëm ai që i jep përfiton prej tyre, mundësitë dhe ngjarjet e mundshme janë të pashmangshme, e vdekja është në pritë. Sa më shumë që e rrit aftësinë dhe pozitën, është më i afërt me njerëzit dhe më afër plotësimit të nevojave të tyre si dhe në shërbimin e tyre, sepse njerëzit janë robërit e Zotit, e më i dashuri te Zoti është më i dobishmi për familjen e tij.
Ai nuk është si jobesimtarët që janë gjithnjë mendjelartë në ecjen e tyre dhe te të cilët nuk shohin mësim në asgjë. Ata janë si plumbi i huçur (qorr), plaken, por nuk bëhen aspak më të mençur as më afër Zotit.
Nga ana tjetër, është fatkeq ai i cili e shton diturinë, e pastaj çoroditet dhe rebelohet. Këto janë shenja të zemrës së kalbur dhe të prishur e cila e ka harruar Allahun dhe burimin e diturisë dhe të aftësisë. Mendjelartësia e tyre në këtë botë s’ka kufi, prandaj ata Ditën e Gjykimit do të ringjallen si copëza të imta, të padukshme të cilat njerëzit do t’i shkelin.
Siç qëndron në fjalët e të Dërguarit: "Ditën e Gjykimit arrogantët do të mblidhen në formën e milingonave, ndërsa njerëzit do t`i shkelin me këmbët e tyre."
Këto gjëra nuk janë gjë tjetër vetëmse një sprovë dhe një test nga Zoti me të cilat sprovohen robërit, e nga disa njerëz është i kënaqur dhe nga disa të tjerë i pikëlluar.