Prehjen e vërtetë njeriu mund ta ketë vetëm te Zoti. Allahu disa herë në librin e Tij e ka theksuar prehjen dhe qetësinë.
"Pastaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti engjëj, të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit."[1]
"Ata të cilët besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur e kujtojnë Allahun qetësohen - kurse zemrat vërtet qetësohen kur përmendet Allahu!"[2]
"Andaj Allahu lëshoi një qetësi mbi ta."[3]
"Nëse ju nuk i ndihmoni, ani, i ka ndihmuar Allahu atëherë kur ata që nuk besojnë e detyruan të largohej, kur me të ishte vetëm shoku i tij, kur të dytë ndodheshin në Shpellë dhe kur ky shokut të vet i tha: 'Mos u brengos, Allahu është me ne!', pastaj Allahu lëshoi sigurinë e Vet mbi ta dhe e ndihmoi me ushtrinë të cilën ju nuk mund ta shihnit dhe bëri që fjala e jobesimtarëve të jetë e poshtmja, kurse fjala e Allahut, ajo është e sipërmja. Allahu është i fortë dhe i urtë. "[4]
Qetësia në ajetet e sipërshënuara nënkupton ndjenjën e sigurisë me Zotin dhe besimi ndaj Mëshirëplotit. Këtë ndjesi të sigurisë së jashtëzakonshme mund ta kenë vetëm besimtarët, si dhe vetëm ata mund të jetojnë pa vështirësi, huti, dyshim, zemërim dhe shqetësim.
Kjo ndjesi u mjafton besimtarëve ta shprehin vazhdimisht mirënjohjen e tyre ndaj Zotit të të gjithë botëve. Ata vetëm Atij i drejtohen dhe i luten ngase e dinë se Ai di çdo gjë, dëgjon çdo gjë dhe është fuqiplotë. Ndërsa kur jeni nën mbrojtjen e Lavdiplotit, nuk keni brenga e as ndjenja të vështirësisë.
Besimtarët janë ata që e pasojnë të Dërguarin e Allahut, i përmbahen me admirim udhëzimit të tij, e duan Krijuesin e tyre, kanë besim në Sunduesin e tyre, rrinë larg çdo të keqe dhe braktisin çdo gjë tjetër që është në kundërshtim me Të, vetëm tek Allahu thërrasin dhe vetëm Atë e adhurojnë.
"Allahu besimtarët do t’i forcojë me fjalë të fuqishme edhe në këtë edhe në botën tjetër, kurse jobesimtarët do t’i lerë në humbje; Allahu vepron si të dojë."[5]
"O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’i forcojë hapat tuaj."[6]