"Ne njeriun e krijojmë që të përpiqet."[1]
Kur e pyetën për pushimin dhe rehatinë, Ahmed ibën Hanbeli deklaroi: "Vetëm kur njeriu të hyjë në Xhenet, do të shijojë rehatinë, pushimin dhe qetësinë."
Ndonëse e di që kjo botë është përplot hidhësi dhe vese,
ti dëshiron të jesh i pabrenga sikur ajo fushë e pastër.
Një mik imi nga Nigeria, i cili studionte me mua dhe ishte shumë besnik, më kishte thënë se si nëna e zgjonte shpesh në pjesën e fundit të natës, kurse ai i thoshte: "Largohu, oj nënë, të pushoj pak."
"Unë të zgjoj për shkak të pushimit, sepse nëse hyn në Xhenet, do të pushosh." – i thoshte nëna.
Dijetari i shquar dhe pararendësi i mirë, Mesruku, shpesh flinte në sexhde. Kur i thanë që ta pushojë pak shpirtin, ai u përgjigj: "Po unë pikërisht këtë edhe e kërkoj."
Drejt vuajtjes shkojnë ata të cilët dëshirojnë të pushojnë ashtu që do t’i lënë anash detyrimet. Pushimi ndjehet kur njeriu kryen një vepër të mirë në dobi të njerëzve, e shfrytëzon në mënyrë racionale kohën dhe i afrohet Allahut.
Jobesimtari e dëshiron vetëm këtë botë, prandaj, edhe pushimin në të. Për ta Allahu thotë:
"Kurse këta nuk presin pos një të fryrë të bririt, të cilën nuk do të ketë nevojë ta përsërisim dhe deklarojnë: 'Zoti ynë, nxito e na ndëshko, para Ditës në të cilën do të jepet llogari!'"[2]
Komentatorët e Kuranit deklarojnë që shpejtimi i tyre ka të bëjë me furnizimin dhe kënaqësinë para Ditës së Gjykimit.
"Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë."[3]
Në Kuran për këta njerëz përdoret shprehja "ata që e duan botën kalimtare", ngase ata nuk mendojnë për kalueshmërinë e saj dhe kështu e humbën atë. Të gjitha veprat e tyre janë të kota dhe të padobishme.
Kalueshmëria është natyrë dhe karakteristikë kryesore e kësaj bote. Ujërat e kësaj bote janë kryesisht të papastra, ditët të ndryshueshme: një për ty, tjetra kundër teje. Sot je i pasur, e nesër i varfër.
Vuaj dhe përpiqu si ai që vrapon pas kësaj bote,
e sërish në varr të dheut vetë përfundon.
Mirëpo fundi i tyre është përshkruar në Kuran:
"Ata, pastaj, do të kthehen te Allahu, Zoti i tyre i vërtetë. Vetëm Ai do të pyetet dhe Ai bën llogari të shpejtë."[4]