Endrju Moro deklaron: "Gjithçka që është në harmoni me dëshirat dhe pritjet tona duket reale, gjersa gjërat me të cilat nuk jemi të kënaqur te ne zgjojnë zemërim."
Konsideroj që kjo ka të bëjë me këshilla dhe kritika. Ne kryesisht i duam lavdërimet, dhe kjo na gëzon, edhe nëse është e pavërtetë dhe e pasinqertë. Nga ana tjetër, ndjehemi dhe sillemi shumë keq për shkak të kritikave dhe qortimeve, edhe nëse janë të sinqerta dhe të vërteta. Ky është ves i keq dhe gabim serioz të cilin besimtari nuk do të duhej ta kishte.
Allahu i lartësuar, thotë:
"Kurse hipokritët deklarojnë: Ne i besojmë Allahut dhe të Dërguarit dhe u bindemi atyre, pastaj disa prej tyre kthejnë kokën; nuk janë besimtarë ata. Kur të ftohen te Allahu dhe te Dërguari i Tij që t’i gjykojë, disa prej tyre befas e kthejnë shpinën; vetëm nëse e dinë që drejtësia është në anën e tyre, vijnë te Ai të përulur. A i kanë zemrat e sëmura, apo dyshojnë, ose frikohen që Allahu dhe i Dërguari i Tij do të veprojnë pa të drejtë ndaj tyre? Asnjëra, porse dëshirojnë t’u shkaktojnë padrejtësi të tjerëve."[1]
Viliam Xhejms deklaron: "Kur të marrësh një vendim dhe ta zbatosh atë brenda ditës, do të zgjidhësh shumë brenga që të kanë munduar ngase ke menduar për zgjidhjen e problemit. Kjo ndodhë vetëm atëherë kur t’i caktosh vetes një plan real i cili bazohet në realitet. Kështu do t’i ikësh vështirësive, dyshimit i cili lind tjetrin dhe nuk do të shikosh përqark me frikë."
Prandaj, lirisht këndo:
Vendimet e forta më kanë vazhduar jetën,
duke larguar të gjitha dyshimet e frikat.
Ose vargjet tjerë në të cilët thuhet:
Nëse ke ndonjë qëllim, ji i vendosur,
ngase hezitimi rrënon çdo punë.
Guximi me rastin e marrjes së vendimeve është shpëtim nga shqetësimi, stresi dhe brengat. "Bindja dhe fjalët e arsyeshme! E kur u përcaktua lufta, do të ishte më mirë sikur të jenë të sinqertë ndaj Allahut."[2]