Mos u dëshpëro për të këqijat ngase nuk e di çka është urtësia dhe fshehtësia e ndodhisë
Në këtë pjesë të librit do të përpiqem të paraqes disa citate nga një libër i mrekullueshëm dhe unik me titull Shpërblimi dhe fundi i lumtur, kurse autori i saj është historiani dhe shkrimtari egjiptian Ahmed ibën Jusufi. Ai deklaron:
"Njeriu e di që të gjitha të këqijat dhe telashet janë të paevitueshme dhe të pashmangshme, siç është e paevitueshme dita që e zëvendëson natën. Çështja më e nevojshme gjatë telasheve dhe vështirësive është qëndrueshmëria dhe qetësia e shpirtit, ngase nëse nuk e përdor ilaçin gjatë vuajtjes, sëmurja do të përhapet dhe problemet do të shtohen. Njësoj është edhe me shpirtin, nëse ai në të vërtet nuk ka asgjë që do ta ndihmojë dhe t’i japë forcë në situata të vështira, do ta mposhtë pikëllimi dhe dëshpërimi."
Për këtë arsye duhet menduar shumë mirë, gjegjësisht për ata që përmbahen kur vihen në sprovë, ngase ata i pret shpërblimi dhe përfundim i lumtur për shkak të durimit dhe të vendosmërisë së tyre. Kjo përsiatje do të na forcojë shpirtin dhe do të na bëjë të vendosur në raport të mirë ndaj Zotit të Madhërishëm. Kjo, gjithashtu, do t’i zbukurojë dhe pastrojë mendimet tona dhe të na japë nxitje për bamirësi, që do t’na shërbejë shumë "në provimin e fundit."
Po ky autor, në një libër tjetër, citon fjalët e Bizerxhemherit: "Të këqijat realisht në radhë të parë janë shpërblime sikur uria para ushqimit, sa më mirë të përmbahesh, më me qejf do të hash."
Platoni ka deklaruar: "Të këqijat janë të mira për shpirtin sa edhe janë të këqija për jetë. Kurse kënaqësitë e ëmbla janë të dëmshme për shpirtin sa janë të mira në këtë jetë."
Ai, gjithashtu, ka deklaruar: "Shikoje mirë dhe ruaje mikun që ta kanë dhuruar vështirësitë, ndërsa largohu dhe bëhu shumë i kujdesshëm nga ai që ta kanë dhuruar kohët e mira."
Prej tij transmetohet edhe një deklarim tejet edukativ: "Kënaqësitë e ëmbla janë si nata, nuk e di çka të sjell dhe çfarë mund të ndodhë në të. Kurse të këqijat janë si dita, e di saktë ku shkoni edhe ti edhe të tjerët."
Azdashiri ka deklaruar: "Të këqijat janë si maska me të cilën shikon atë që nuk mundesh kur je i rrethuar me të mira!"
Ai, gjithashtu, ka deklaruar: "Të këqijat sjellin dy gjëra tejet të dobishme. Më e vogla është fakti që në ato raste ta forcon zemrën, kurse më e madhja është fakti që atëherë i drejtohesh dhe i dorëzohesh sinqerisht Zotit dhe Atij që të furnizon."
Nëse njeriu mendon mirë për Krijuesin, do ta kuptojë se Ai në çdo sprovë dhe të keqe i jep atij shpërblim ose i shlyen mëkatet. Ky është koncepti real i të kuptuarit që besimtari i mirëfilltë është gjithnjë në fitim.
Kurse, nëse mendimet i orienton vetëm për këtë botë kalimtare, të këqijat e saj nuk do kenë fund, një dhembje gjithnjë do ta zëvendësojë tjetrën dhe kështu deri në pafundësi.
Shpëtimi ndodhet pikërisht në lidhjen midis robit dhe Zotit, ngase vetëm Ai e di sekretin dhe përfundimin final të çdo prove dhe të keqe që ndodhë.
Vetëm Allahu i lartësuar, lëshon prehje kur njeriu të bie në dëshpërim. Ai këtë prehje ia dhuron atij që dëshiron prej robërve të Tij. Lavdiploti dëshiron fort që robin e tij ta nxjerrë nga gjendja e rëndë, t’ia lehtësojë jetën, t’i përgjigjet thirrjes dhe t’ia dëgjojë lutjen. Më mjafton vetëm Allahu dhe sa mbrojtës i mrekullueshëm është Ai.
Për një kohë të gjatë e kam potencuar librin e Tenuhit Shpëtimi pas vuajtjes dhe në të kam hasur tri dobi të mëdha:
1. Shpëtimi duhet të vijë pas vështirësive e të këqijave. Ky është ligj i Allahut, si ndërrimi i natës dhe i ditës. Për këtë nuk duhet pasur kurrfarë dyshimi;
2. Vuajtjet në të shumtën e rasteve njeriut i sjellin ndonjë dobi dhe gjëra të bukura në dynja dhe në Ahiret;
3. Duhet kujtuar shumë mirë këtë porosi e cila na vjen nga vetë Allahu i lartësuar: “Dije se gjithçka që ta ka ndodhur, nuk ka mundur të anashkalojë, si dhe gjithçka që të ka anashkaluar nuk ka mundur të të ndodhë.”