Sa shumë njerëz brengosen për gjëra banale dhe të parëndësishme!!!
Analizo vetëm hipokritët, sa mjerane janë brengat e tyre dhe sa të ngurta ndjenjat e tyre!?!
Këto janë fjalët e tyre:
"Mos shkoni në luftë nëpër vapë!"
"Më liro dhe mos më ve në sprovë!"
"Shtëpitë tona janë të pambrojtura!"
"Kemi frikë mos na godet ndonjë fatkeqësi."
"Allahu dhe i Dërguari i Tij vetëm na kanë mashtruar kur na premtuan!"
Sa të gjora dhe të poshtra janë arsyetimet e tyre! Sa fatkeq është shpirti i tyre! Ata më shumë brengosen për stomakun e vet, çfarë ka në pjatë, si duken shtëpitë e tyre, a kanë pallate. Shikimet e tyre kurrë nuk janë drejtuar në lartësi, në qiell plot qëllime të lartësuara. Ata sytë e vet kurrë nuk i kanë drejtuar kah yjet shkëlqyes. Brenga e tyre flet për shkallën e diturisë së tyre e cila nuk arrin më larg se mjeti udhëtues, veshmbathja dhe shtëpia.
Numri më i madh i njerëzve ditë e net brengosen për shkak të mospajtimeve me burrin, gruan, djalin, të afërmin. E krejt kjo për shkak të ndonjë thashethemeje të shëmtuar ose ndonjë gjëje të parëndësishme. Këto janë brengat dhe telashet e tyre reale. Ata nuk kanë kurrfarë ambiciesh të larta me të cilat do të merreshin, nuk kanë qëllime madhore me të cilat do ta plotësonin kohën.
Të tillët deklarojnë: "Kur në enë s’ka ujë, atë e mbushë ajri."
Pikërisht kjo do të duhej të ishte arsye për të përsiatur lidhur me situatën ose gjënë e cila na shqetëson dhe na mundon.
Duhet të pyesim veten nëse është aq e rëndësishme sa t’na pushtojë kohën, mundin, mendimet, qetësinë, nervat dhe jetën. Nëse i dorëzohemi gjërave të parëndësishme, bashkëveprimi ynë me kohën është i dëmshëm dhe i padobishëm. Ky në të vërtetë është shkatërrim i madh.
Psikologët deklarojnë: "Në çdo gjë duhet pasur një kufi të arsyeshëm."
Prandaj, beso në vërtetësinë e këtyre fjalëve të Allahut të lartësuar:
"Allahu i ka caktuar çdo gjëje afatin dhe masën."
Prandaj çdo situatë dhe problem e vlerëso me mend, duke ia dhënë masën dhe vlerën e drejtë. Nga ana tjetër, ji shumë i kujdesshëm dhe largohu nga teprimet, dhuna e padrejtësia.
Kujto vetëm shokët e mirë të të Dërguarit, brenga më e madhe e cilëve ishte të japin betimin nën pemë dhe për këtë e fituan kënaqësinë e Allahut. Në mesin e tyre ishte një njeri për të cilin ishte më me rëndësi deveja dhe për këtë ishte vonuar, andaj u bë i urryer dhe i përçmuar.
Prandaj, vëllai im, mos ia vër veshin gjërave të parëndësishme dhe mos iu përkushto fare atyre. Vetëm kështu do të largosh brengat duke e kthyer lumturinë dhe gëzimin.