Nisu për në namaz
"O besimtarë, kërkoni ndihmë në durim dhe në kryerjen e namazit!"[1]
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kur e rëndonte ndonjë problem, i qasej namazit. Madje Bilallit i kërkonte: “Na shlodh, o Bilall, me namaz.”
Ka thënë gjithashtu: “Gëzimi im kulmor është në namaz.”
Kur në shpirt kemi ndonjë shqetësim, vështirësi apo telash, duhet nxituar në namaz. Kur retë të lëshohen në tokë, mbretëron errësira dhe përhapet prapësia, atëherë fal namaz.
Në momente të rënda dhe vendimtare të jetës së tij, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), gjente prehje në namaz. Një gjë të tillë e kishte bërë, edhe në betejën e Bedrit, si dhe në të gjitha betejat tjera të mëdha dhe në situata të tjera të ngjashme.
Hafidh ibën Haxheri, autori i librit Fet`h, ndodhej në një kullë egjiptase i rrethuar nga hajnat dhe armiqtë, por ai vazhdoi të falej dhe Allahu e shpëtoi.
Ibën Kajimi dhe Ibën Asakiri theksojnë një shembull tejet impresiv nga historia e Islamit. Në të vërtetë, një njeri i mirë po udhëtonte nëpër vendet e Shamit, kur ia preu rrugën një kriminel dhe e nxori shpatën për ta vrarë. Njeriu i mirë iu lut t`i falë dy reqate para vdekjes, gjë që ky i lejoi. Gjatë namazit burri e përsëriti tri herë ajetin:
"Ai i Cili i përgjigjet nevojtarit, kur ky i drejtohet dhe i Cili largon të këqijat dhe i Cili u ka vënë mëkëmbës në Tokë. – Vallë ekziston zot tjetër pos Allahut? Si nuk merrni mësim!"[2]
Pas kësaj nga qielli zbriti një engjëll me heshtë dhe e vrau kriminelin, i cili e kishte robëruar njeriun e mirë.
"Urdhëro familjarët tu të kryejnë namaz dhe të jenë të vendosur në këtë! Ne nuk kërkojmë nga ti të ushqehesh vetë, Ne do të ushqejmë! Dhe vetëm ata që do të kenë frikë nga Allahu dhe largohen nga mëkati i pret përfundim i lumtur."[3]
"E kur ta kryeni namazin, përmendeni Allahun, edhe në këmbë, edhe ulur, edhe shtrirë. Kurse kur të jeni të sigurt, kryeje namazin në tërësi, ngase besimtarët janë obliguar që ta kryejnë namazin në kohë të caktuar."[4]
"Mësoja Librin i cili të shpallet dhe fal namaz, vërtet namazi largon nga shfrenimi dhe nga gjithçka që është e keqe; kryerja e namazit është devotshmëria më e lartë! – Ndërsa Allahu e di çka punoni."[5]
Adresimi i salavateve për të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), gjithashtu sjell prehje në zemër dhe largon çdo shqetësim, pikëllim e dëshpërim.
"Allahu dhe engjëjt e Tij e bekojnë të Dërguarin. O besimtarë, bekojeni edhe ju dhe bëni selame!"[6]
Në një hadith autentik të cilin e citon Tirmidhi, thuhet se Ubeje ibën Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të), e kishte pyetur të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të):
- “Sa salavate t’i bëj, o i Dërguar i Allahut?”
- “Sa të duash?” – iu përgjigj i Dërguari.
- “Një të katërtën?” – e pyeti Kabi.
- “Sa të duash, po nëse thua më shumë, atëherë është më mirë.” – iu përgjigj i Dërguari.
- “Një të tretën?” – e pyeti Kabi.
- “Sa të duash, e nëse thua më shumë, kjo është më mirë.” – iu përgjigj i Dërguari.
- “Po sikur t’i drejtoj të gjitha salavatet e mia?” – e pyeti Kabi.
- “Atëherë do të falen mëkatet, edhe brengat do të largohen.” – deklaroi i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Kjo është dëshmi që salavatet për të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), largojnë vuajtjet dhe brengat.
Me një rast i Dërguari tha: “Kush e bën një salavat për mua, Allahu për të i bën dhjetë.”
“Bëni shumë salavate natën dhe ditën e së premtes, ngase salavatet tuaja do të arrijnë te unë.”
“Si do të arrijnë te ti, o i Dërguar, kur të kalben eshtrat?”, e pyetën shokët.
“Allahu tokës ia ka ndaluar që të tretë trupat e të Dërguarve (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të)”.
Ata që e pasojnë udhëzimin e të Dërguarit dhe e duan sinqerisht do të ndiejnë lehtësim, krenari dhe nder të vërtetë në jetë.
Ibën Tejmije deklaron: "Salavati më i plotë për të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), është salavati i Ibrahimit, i cili thotë: Zoti im, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij siç e ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e tij. Dhuroji bereqet Muhamedit dhe familjes së tij siç ia ke dhuruar Ibrahimit dhe familjes së tij. Me të vërtetë, vetëm Ti meriton çdo lëvdatë dhe falënderim."