Tirmidhi e citon një hadith në të cilin thuhet: “Adhurimi më i mirë është pritja e daljes nga një situatë e vështirë.”
Në Kuran, gjithashtu, thuhet:
"A nuk është afër agimi?"[1]
Po afrohet agimi për ata që kanë rënë në brenga të rënda dhe në vështirësi. Prandaj, prit agimin dhe prit ngadhënjimin nga Ai, i Cili jep fitore.
Arabët deklarojnë: "Kur litari shtrëngohet së tepërmi, këputet."
Kjo fjalë e urtë na mëson se duhet të presim dalje dhe shpëtim pikërisht atëherë kur kriza dhe vuajtja të jenë në kulm.
Allahu i lartësuar, thotë:
"Kjo është këshillë për atë që e beson Allahun dhe botën tjetër – ndërsa atij që ka frikë nga Allahu, Ai do t’i gjeje rrugëdalje. Dhe do ta furnizojë andej nga as që e shpreson; atë që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton. Allahu, pa dyshim, do ta përmbushë atë që e ka vendosur; Allahu i ka caktuar çdo gjëje afatin e vet."[2]
"Kurse atë që ka frikë nga Allahu, Ai do t’ia bëjë të arritshme çdo gjë që i nevojitet. Ja, këto janë dispozitat e Allahut, të cilat Ai ua shpallë juve."[3]
"Ndërsa atë që ka frikë nga Allahu – Ai do të kalojë mbi veprimet e tija të këqija, madje do t’i dhurojë edhe shpërblim të madh."[4]
Poetët arabë deklarojnë:
Errësirat vijnë, pastaj sërish del drita,
e të gjitha hijet sakaq harrohen.
Kurse në vargjet tjerë theksohet:
Sa shpëtime kanë ardhur pas dëshpërimit,
sa herë fytyra pas brengës ka qeshur e është gëzuar.
Ai që mendon mirë për Allahun,
frytet më të mira ai i merr nga ferrat.
Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet që i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë: “Allahu i Madhërishëm thotë: Unë jam me mendimin e robit Tim për Mua. Andaj le të mendojë robi Im për Mua çfarë të dëshirojë.”
Allahu i lartësuar, thotë:
"Dhe kur të Dërguarit gati humbnin shpresën dhe mendonin se do t’i shpallnin gënjeshtarë, atyre u vinte ndihma Jonë; Ne i shpëtonim ata që vetë dëshironim, kurse dënimi Ynë nuk e anashkalonte popullin jobesimtar! "[5]
"Ani, vërtet me vuajtjen vjen edhe kënaqësia, vërtet me vuajtjen vjen edhe kënaqësia! "[6]
Disa komentatorë të Kuranit deklarojnë: "Nuk mundet vuajtja, e keqja, të mposhtë dy kënaqësi dhe lehtësime." Sipas disave ky është hadith.
Në Kuran thuhet:
"Ti nuk e di, Allahu pas kësaj mund të ofrojë një rast tjetër."[7]
"Mos pandehni se do të hyni në Xhenet, ndërkaq që ende nuk e keni shijuar atë që e kanë shijuar ata të cilët kanë qenë para jush dhe janë zhdukur? Ata i kanë grirë skamja dhe sëmundja, si dhe kanë qenë aq të shqetësuar sa edhe i Dërguari, edhe ata me të që besonin, thërrisnin: Kur do të vijë ndihma e Allahut!? Ja ndihma e Allahut është vërtet afër!"[8]
"Dhe mos shkaktoni çrregullim mbi Tokë, pasi është vendosur rregull në të, kurse lutuni Atij me frikë dhe me shpresë; mëshira e Allahut vërtet është afër atyre që kryejnë vepra të mira."[9]
Në një hadith autentik thuhet: “Dije se ndihma vjen pas durimit, kurse shpëtimi pas së keqes.”
Poeti deklaron:
Kur je në vështirësi, shpreso për rrugëdalje,
se shpëtimi është më afër kur je më së keqi.
Shpirti im ka rënë në pikëllim, e lotët kanë shndritur.
Befas, errësirat u larguan,e pas së keqes erdhi shpëtimi.
Nganjëherë jemi zgjuar, nganjëherë ëndërrojmë,
nganjëherë jemi plot mirësi, nganjëherë s’e kemi.
Hiqu të gjitha brengave dhe shqetësimeve, kjo mund të çojë në marrëzi.
Nëse Allahu dje të ka mjaftuar, me siguri do të jetë njësoj dhe nesër.
Lere fatin të shkojë rrugës së vet, për të brengosen vetëm të marrët.
Me çdo pulitje sysh, Allahu gjendjen na ndryshon.