Xhulejbibi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka qenë një djalosh i varfër, me rroba të grisura dhe me fytyrë të zbehtë. Pjesën më të madhe të jetës ka qenë i uritur ngase nuk kishte as familje e as të afërm. Ai nuk zotëronte, gjithashtu, as shtëpi, ndaj si i pastrehë flinte në xhami, kurse ushqehej si mundej dhe ku të mundej. Megjithatë, ishte tejet modest dhe i tërhequr. Nuk i ankohej askujt, por i ishte përkushtuar robërimit ndaj Allahut, dhikrit dhe adhurimeve të tjera.
Një ditë afër tij kaloi i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), dhe i tha: "O Xhulejbib, përse nuk po martohesh?"
"O i Dërguar i Allahut, cila femër do të martohej me mua? Nuk kam as pasuri, e as që jam ndonjë njeri i famshëm?", u përgjigj Xhulejbibi.
Kjo bisedë u përsërit edhe dy herë tjera, pastaj i Dërguari, i tha: "O Xhulejbib, shko te filan ensariu dhe i thuaj se e kam përshëndetur me selam dhe kam kërkuar prej tij që të martojë me vajzën e vet."
Ensariu i përmendur ishte njeri shumë i pasur dhe i famshëm, andaj u habit shumë fort kur erdhi Xhulejbibi, dhe ia transmetoi fjalët e të Dërguarit. Edhe ai edhe gruaja ishin në dilemë si ta martojnë vajzën për një skamnor të gjorë dhe të pastrehë, i cili nuk kishte askënd dhe asgjë nën kupën qiellore.
Mirëpo, si t`ia bënin, nuk mund ta refuzonin kërkesën e të Dërguarit të Allahut prandaj e pyetën vajzën se ç`të bëjnë, kur këto fjalë i dëgjoi vajza, deklaroi: "Mos doni ta refuzoni të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), dhe kërkesën e tij. Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit ndodhet shpirti im!"
Pas kësaj, Allahu Xhulejbibit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i dhuroi begati dhe ai krijoi familje, shtëpi dhe rriti fëmijë me të, e krejt këto me sinqeritet me emrin e Allahut. Së shpejti erdhi koha e betejave dhe e luftës, e Xhulejbibi, nga të parët iu përgjigj thirrjes dhe luftoi me trimëri. Në betejë vrau shtatë idhujtarë, por në fund ra edhe vetë shehid. Pas betejës ishte tollovi e madhe dhe njerëzit numëronin emrat e atyre që ishin vrarë, por harruan ta përmendin Xhulejbibin, ngase ai nuk ishte për shumicën e shokëve as i njohur e as i pasur.
Por nuk e harroi i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Ai bërtiti: "Mungon edhe Xhulejbibi."
Kur e hasi në pluhur, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), e shkundi rërën nga fytyra e tij dhe tha: "I vrave shtatë, e vdiqe? Ti je nga unë e unë jam nga ti, ti je nga unë e unë jam nga ti, ti je nga unë e unë jam nga ti..."
Këto fjalë të të Dërguarit janë medalja dhe shpërblimi më i bukur për Xhulejbibin e varfër (Allahu qoftë i kënaqur me të). Frytet e besimit të vet ai i voli dhe u bë një prej atyre që do të jenë gjithnjë të lumtur dhe të gëzuar në bukuritë e Xhenetit. Për ta Allahu thotë:
"Kurrë mos i konsidero të vdekur ata, të cilët kanë ranë në rrugën e Allahut! Jo, ata janë të gjallë dhe të begatë te Zoti i vet, të lumtur për atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Vet dhe të gëzuar për ata që nuk u janë bashkuar ende, për të cilët nuk do të ketë kurrfarë frike dhe të cilët nuk do të pikëllohen për asgjë."[1]