Në vitin 1400. hixhri. shkova në një seminar për punën e misionarëve që po mbahej në Jemen, kurse mbahej nën patronatin e dijetarit Ibën Bazit. Aty isha bashkë me profesorët e tefsirit dhe të akaidit nga qyteti im Ebha. Meqë Ebha ishte afër, gjatë kohës së pauzës shpesh e vizitonim.
Një herë, gjatë kthimit nga Ebha në seminar, u gjetëm në një kanjon të ngushtë e të gjatë. Një kohë vozita unë, e pastaj vozitjen e mori një profesor i tefsirit. Si vozitës me përvojë, nxitonte rrugës dhe kalonte me shpejtësi distanca të mëdha. Megjithatë, kjo vozitje ishte teje e rrezikshme, ashtu që lehtë mund të gjendeshim në një prej shumë humnerash shkëmbore. Gjatë gjithë rrugës ndihesha shumë keq dhe i shqetësuar, thyeja gishtat për shkak të vozitjes së shpejtë dhe të pakujdesshme. Nga mbrëmja filloi një shi dhe duke u lëshuar tatëpjetë kanjonit, shikonim se si uji po e mbulonte gjithnjë e më shumë rrugën. Në të vërtetë, rruga nëpër të cilën po voziteshim ishte një shtrat i natyrshëm për shirat e verës dhe të vjeshtës të cilat shpesh dinin të ishin shumë të fuqishme. Shiu nuk pushonte dhe së shpejti vërejtëm se uji filloi të depërtonte në makinë. Ndaluam pas disa momentesh, dolëm nga makina dhe ikëm në bregoren e afërt. Gjithandej rreth nesh kishte ujë. Në atë kodër të shkretë dhe ranore e kaluam tërë natën. Nuk kishim ushqim, shtretër, batanije as kurrnjë gjë tjetër të nevojshme. Megjithatë, e falënderuam Zotin që jemi të gjallë. Aty e kuptuam gjithashtu edhe se shumë gjësende të cilat i kishim dhe i shfrytëzojmë në jetë ishin të parëndësishme dhe të tepërta. Në mëngjes na shpëtuan disa fshatarë dhe ne u larguam nga ky vend të lodhur dhe të uritur, por më të pasur me një përvojë të dobishme jetësore.
Në këto momente kujtova një tregim lidhur me marinën amerikane në kohën e Luftës së dytë botërore. Në të vërtetë, një nëndetëse luftarake ishte goditur nga Japonezët dhe u fundos në fund të detit. Në të kishte mbetur gjallë një marinar i cili nën ujë qëndroi plot tri ditë e tri net. Me vete kishte vetëm ujë për pije dhe bukë të thatë. Kur erdhën shpëtimtarët dhe e nxorën, e pyetën çfarë përvoje ishte të jesh vetëm nën det. Ai u përgjigj: "Këto ditë e kuptova një të vërtetë të madhe. Kush është me shëndet dhe ka mjaft bukë e ujë, është më i lumtur se të gjithë mbretërit e botës."
Unë, gjithashtu, deklaroj: “Dynjaja nuk është asgjë pos të kesh trup të shëndetshëm, shpirt të qetë, bukë dhe ujë e rroba të pastra. Nëse njeriu i ka këto, gjithçka në botë e ka më të lehtë dhe më të bukur.”
Përse ne nuk pyesim veten për jetën tonë?
Përse nuk bëjmë llogaritë me vetveten dhe të kuptojmë sa dhe çka kemi, si dhe a kemi nevojë për diç tjetër?
Nëse jemi të sinqertë ndaj vetvetes dhe të tjerëve, do të shohim se gati rreth 80%, ne kemi ato që na nevojiten dhe se na mungojnë vetëm një numër i vogël gjësendesh, po e zëmë rreth 20%.
Shumica e njerëzve janë si unë dhe ti, ndonëse ka edhe asesh që janë në sprova të rënda dhe skamje të madhe.
Përse, atëherë, dëshpërohemi për atë çka na mungon, e nuk kënaqemi me atë që e kemi, kurse kjo është shumë më shumë se ajo që na mungon?
Përse ankohemi për shkak të asaj çka ka kaluar, kurse nuk gëzohemi për atë që na ka ardhur?
Vajtojmë për shkak të sprovave, ndërsa nuk gëzohemi për shkak të mirave dhe bukurive të shumta të cilat na ka dhuruar Allahu në këtë botë.