Prej princit deri te marangozi
Ali ibën Memun el-Abasi, djali i kalifit, jetonte në një pallat të mrekullueshëm dhe kishte gjithçka që mund të dëshironte. Një ditë, nga dritarja e dhomës së vet shikonte një punëtor i cili në vapën e drekës po kryente një punë të rëndë. Pas një kohe punëtori mori abdes, fali dy reqate në bregun e lumit Tigër dhe më pas iu kthye punës. Ndërsa para akshamit shkoi në shtëpi. Pas pak princi Aliu e ftoi dhe u interesua për jetën e tij. Punëtori iu përgjigj se kishte grua, dy motra dhe nënën, ndaj i duhej të punonte shumë për to, ngase ishte i vetmi që mund të fitonte për jetesë. I tha gjithashtu se agjëron gati çdo ditë.
"Ani, a i je ankuar dikujt?", e pyeti princi.
"Jo, falënderuar qoftë Allahu, Zoti i të gjithë botëve", u përgjigj i qetë punëtori.
Pas këtyre fjalëve princi heshti dhe u thellua në mendime. Së shpejti braktisi pallatin dhe nuk e pa më kush derisa vdiq, pas shumë vitesh, në afërsi të Horasanit. Mësohet se prej momentit kur braktisi pallatin kishte punuar si marangoz i thjeshtë, ngase pikërisht aty dhe jo në pallat e kishte zbuluar lumturinë e vet dhe prehjen e vërtetë të shpirtit të tij.
"Ndërsa ata që ndodhen në Rrugë të drejtë, Ai do t’i orientojë edhe më tej dhe do t’i frymëzojë si duhet të ruhen nga zjarri."[1]
Ky rrëfim ngjason me tregimin për banorët e Shpellës, të rinjtë të cilët jetonin në pallatet mbretërore, por në to ndienin angështi, shqetësim dhe brengosje, ngase pallati ishte përplot mosbesim. Ata e braktisën krejt këtë, ndërsa njëri tha:
"Kur t’i braktisni ata dhe ata të cilët i adhurojnë, krahas Allahut, strehohuni në shpellë, Zoti juaj do t’u mbulojë me mëshirën e Vet dhe për ju do të përgatisë çka është e dobishme."[2]
Më shumë e dua një kasolle të vjetër,
se sa një pallat të stolisur.
Shumë deklarime bëjnë fjalë për faktin se edhe një vend i vogël në të cilin mbretëron harmonia, besimi dhe dashuria mund të strehojë shumë njerëz dhe t’i lumturojë ata. E tillë është thënia: “Ku nuk ka njerëz të çartur, shtëpia nuk është e varfër.”