Viliam Xhejms deklaron: "Ne as që e kuptojmë sa na ndihmojnë disa të këqija dhe sëmundje në jetë. Sikur Dostojevski e Tolstoi të mos kishin jetuar një jetë aq të dhembshme nuk do t’ia dhuronin njerëzimit vepra aq madhështore dhe të paharrueshme letrare. Vetmia, verbëria, varfëria dhe të këqijat tjera mund të jenë shkak i ndërmarrjeve të mëdha, progresit dhe ideve gjeniale."
Allahu na jep të mira në sprovat më të mëdha,
kurse disa njerëz i sprovon me urtësi vetëm me begati.
"Pasuria dhe fëmijët mund të jenë shkak i shumë vuajtjeve: Mos të gëzojnë pasuritë e tyre, e as fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë me këtë në këtë botë dhe të përfundojnë si jobesimtarë."[1]
Gjersa ishte i palëvizshëm, Ibën Ethiri kishte shkruar veprat e tija të njohura dhe shumë të vlerësuara Xhamiul Usul dhe El-Nihaje!
Ibën Kajim ka shkruar veprën Zadul-Mead në një udhëtim të tij të gjatë!
Imam Kurtubi ka shkruar komentin e tij të Sahihut të Muslimit gjersa po lundronte me anije!
Ibën Tejmije numrin më të madh të fetvave e ka shkruar gjersa ndodhej në burg!
Qindra mijëra dijetarë të hadithit të cilët i mblidhnin me aq kujdes dhe zell thëniet e të Dërguarit kanë qenë të varfër!
Një njeri i mirë më ka treguar se në burg kishte mësuar përmendësh Kuranin dhe kishte lexuar dyzet vëllime librash të ndryshëm!
Ebu Ala el-Meari ka shkruar aq shumë përmbledhje poezish, divane, ndërkaq që ka qenë i verbër!
Edhe Taha Huseini ka qenë i verbër, ndërsa ka shkruar shumë vepra letrare!
Sa shumë njerëz në situata të vështira dhe sëmundje kanë shkruar libra të shumtë të cilat edhe sot e kësaj dite janë me dobi të madhe.
Sa herë je vënë në sprovë dhe je rrethuar nga të këqijat,
ke qenë fatkeq për shkak të begatisë të cilën të zgjodhi Allahu.
Frensis Bekoni ka deklaruar: "Janë të pakta gjërat te filozofi që e shtynë njeriun të mos besojë. Thellimi i vëmendshëm në këtë disiplinë mundet vetëm ta afrojë njeriun me fenë."
"Këta janë shembuj të cilët ua paraqesim njerëzve, por i kuptojnë vetëm të diturit."[2]
"Edhe njerëzit edhe shtazët edhe bagëtia, gjithashtu, janë llojesh të ndryshme. Ndërsa nga Allahu kanë frikë prej robërve të Tij – të diturit. Allahu, vërtet, është i fuqishëm dhe Ai falë shumë."[3]
"Kurse ata të cilëve u është dhuruar dituri dhe besim do të deklarojnë: Ju keni mbetur, me përcaktimin e Allahut, deri Ditën e Ringjalljes, - ndërsa kjo është Dita e Ringjalljes, vetëm se ju nuk e keni ditur."[4]
"Thuaj: Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht kah Allahu, dy nga dy, ose një nga një, e pastaj mendoni që shoku juaj nuk është i çmendur. Ai vetëm ju paralajmëron para vuajtjes së rëndë."[5]
Mjeku A. A. Brill ka deklaruar: "Asnjë besimtar i mirëfilltë kurrë nuk do të sëmuret nga ndonjë sëmundje shpirtërore."
"Ata që kanë besuar dhe kanë kryer vepra të mira Mëshirëploti me siguri do t’i bëjë të dashur."[6]
"Atij që kryen një vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, ndërsa është besimtar, Ne do ta bëjmë të jetojë jetë të bukur dhe vërtet, do t’i shpërblejmë me shpërblim më të mirë se ai që e kanë merituar."[7]
"Ndërsa Allahu besimtarët, vërtet, do t’i nxjerrë në Rrugë të drejtë."[8]