Rrëzë një mali jetonte fisi Benu Abs. Allahu u kishte dhënë gjithçka që kanë mund të dëshironin. Kishin ushqim me bollëk, toka ishte pjellore dhe e mjaftueshme për të gjithë njerëzit dhe kafshët. Bagëtia kishte kullosë të mirë, kurse uji rridhte në të gjitha anët. Pos kësaj, ky fis ishte shumë i pasur. Një ditë një pjesë e bagëtisë doli nga vatha dhe e mori malin. Prijësi i fisit vendosi ta kërkojë vetë bagëtinë. Kështu i kaloi tri ditë në pyll dhe në mal. Në ndërkohë kishte rënë një shi i madh dhe vendbanimin e fisit e kishte marrë me vete një vërshime e madhe nga mali e cila kishte sjellë me vete gurë, drurë dhe shkëmbinj të mëdhenj. Në momentin kur po flinin, përmbytja e madhe u hodh mbi shtëpitë e tyre, depërtoi brenda shtëpive duke vrarë të gjithë banorët. Fatin e njëjtë e përjetuan edhe shtazët, shtëpitë, si dhe çdo e mirë në atë vend.
O ti që fle i dëlirë dhe pa brenga,
dije që të këqijat vijnë në agim kur fillon dita.
Shkurt, në mëngjes në vendin ku kishin jetuar fisi ishte vetëm një fushë e shkretë. Nuk kishte mbetur gurë mbi gurë pas përmbytjes.
Pas ditës së tretë u kthye edhe prijësi. Mirëpo, kur erdhi në vendin ku kishin qenë shtëpitë edhe vathet, nuk dëgjoi as pa asgjë. Kishte vetëm shkret dhe qetësi e pafund. O Allah! Çfarë katastrofe dhe mjerimi ka ndodhur! Njeriu ka humbur gruan, bijtë, vajzat, farefisin, fqinjët, shtëpinë, pasurinë, bagëtinë, paratë dhe gjithçka tjetër. Kjo ishte një goditje e tmerrshme për të.
Në momentin kur ra në gjunjë në vendin ku dikur ishte shtëpia e tij, e goditi edhe një dele të cilën e kishte sjellë nga mali dhe e verboi. Njeriu filloi të qajë të bërtasë, duke kërkuar ndonjë ndihmë. Pas një kohe atij iu afrua një beduin dhe e mori me vete duke i ofruar strehë. Në fund, beduini e dërgoi në Damask te kalifi Velid ibën Abdulmeliku. Kur kalifi e dëgjoi rrëfimin e tij, e pyeti: "Ani, si e ndjen veten tani?"
"Jam i kënaqur me përcaktimin e Allahut", u përgjigj njeriu.
Kjo është, vërtet, përgjigja më e lartë dhe më e çmuar. Këtë e kishte deklaruar njeriu, i cili në zemër kishte besim dhe ai u bë shembull për të gjitha gjeneratat e muslimanëve.
Nga ana tjetër, mendoni për ata të cilët nuk besojnë në përcaktimin e Allahut dhe nuk pajtohen me atë që është shkruar. Ata janë në vështirësi dhe mjerim të dhembshëm. Do të donin të gjenin ndonjë vrimë në tokë për t’u fshehur ose të ngjiten disi në qiell, por këtë nuk mund ta arrijnë.
"Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë (Muhamedin) në këtë botë dhe në botën tjetër, le të lidhë një litar në tavan e të varet! Pastaj le të shohë nëse do t’ia largojë ky veprim hidhërimin! "[1]