Një herë, kur mora një bursë të lartë, vrapova në librarinë më të madhe dhe bleva nga një ekzemplar të çdo libri që më interesonte. Shumë shpejt mbusha të gjitha raftet në shtëpi me libra nga fusha të ndryshme, e më së shumti nga psikologjia, kultura, fikhu dhe besimi.
Menjëherë fillova t’i lexoj i mahnitur që kam numër kaq të madh librash që do të më fisnikërojnë dhe pasurojnë. Por, që pas leximit të disa librave u zhgënjeva. E pashë se librat ishin shumë të ngjashëm dhe se të dhëna të njëjta gjendeshin në libra të ndryshme. Kishte edhe libra që nuk ia vlenin asgjë. Ishin të shkruara pa stil, të ftohta dhe pa kuptim. Kështu kalonin vitet, kurse mua më mundonte problemi i këtyre librave, ngase numri më i madh i tyre ende ndodheshin në rafte dhe vetëm mbuloheshin me pluhur.
Megjithatë, duke qëndruar me njerëz të ditur, ua shfaqa problemin tim në lidhje me librat. Ata më dhanë një këshillë të dobishme, e ajo ishte që të lexoj vetëm librat kryesorë, burimet parësore dhe veprat klasike, duke lënë anash gjithçka tjetër, si dhe t‘i konsultoj vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë studim ose diç të ngjashme. Pasi i dëgjova, shpirti im u qetësua dhe zemra ime u mbush me gëzim. Ishte kjo një këshillë e saktë dhe e sinqertë të cilën ua propozoj të gjithëve.
Lakmia e shtyn njeriun të grumbullojë atë që i nevojitet dhe atë që nuk i nevojitet. Prandaj Allahu ka thënë:
"Jeni të preokupuar të bëheni sa më të pasur gjersa të mos bëheni banues të varreve. Po nuk duhet kështu, do ta kuptoni gjithsesi!"[1]
Shumë studentë të mi më pyesin vazhdimisht për disa vepra të panjohura dhe komplekse, ndonëse dinë dhe lexojnë shumë pak. Ata, në të vërtetë, kanë njohuri tejet sipërfaqësore lidhur me gjërat fundamentale, nuk i lexojnë veprat klasike. Kështu që pyesin për autorë dhe komente të panjohura, ndërkohë që kurrë nuk e kanë lexuar komentin e Kuranit të Ibën Kethirit, përmbledhjen e hadithve të Buhariut, e libra të ngjashëm.
"Disa prej tyre janë të paditur, ata nuk dinë për libra, por vetëm për përralla, edhe ata vetëm e marrin me mend."[2]
Prandaj nuk duhet të lodhemi me gjëra të panjohura dhe të paqarta, por duhet t’i përkushtohemi urtësisht gjërave më të rëndësishme dhe më primare. Në të kundërtën, vetëm do ta shkatërronim dhe hutonim veten.