Të shikojmë tani jetën e gjeneratës më të mirë të njerëzimit, e ata kanë qenë shokët e të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Me një rast Ali Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të), me vajzën e të Dërguarit Fatimen, gruan e vet, ishte në situatë tejet të vështirë. Kishte disa ditë që ishin të uritur, por nuk mund të gjenin asgjë për ushqim. Aliu u nis për në Medinë me shpresë që do të gjente diç për vete dhe familjen e tij. Iu kujtua një hebre që kishte tokë pjellore dhe shkoi tek ai. Hebreu i tha se do t’i jepte hurme nëse nxjerr ujë nga pusi dhe ta ujiste kopshtin e tij. Ndonëse shumë i lodhur dhe i uritur, Aliu iu përvesh punës, gjersa nuk u rrëzua nga lodhja. Hebreu atëherë ia dha disa hurme dhe Aliu plot shend u kthye në shtëpi. Rrugës ai e takoi të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), dhe atij ia dha një pjesë të hurmave, kurse në shtëpi çoi fare pak që ta shuaj urinë bashkë me Fatimen (Allahu qoftë i kënaqur me të).
E tillë ka qenë jeta e njerëzve më të shquar në historinë e Islamit. Megjithatë, edhe përkundër kësaj, të gjitha ata kanë qenë shumë të gëzuar, optimistë dhe të lumtur.
Zemrat e tyre kanë jetuar në të vërtetën me të cilën është dërguar Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Ata kanë pasur qëllimet më të larta dhe i janë përkushtuar sinqerisht luftës dhe sakrifikimit në shtigjet e shenjat shpirtërore. Kjo u mundësoi që gjithnjë ta dinë me saktësi çka është e vërteta dhe ta pasojnë atë, si dhe të dallojnë gënjeshtrën dhe të largohen prej saj, e kjo është gjëja më e rëndësishme dhe esenca e jetës.
Nga ana tjetër, ku është lumturia e Karunit?
A ka qenë i qetë dhe i lumtur Hamani?
I pari i varrosur, kurse i dyti i mallkuar.
"Dijeni se jeta në këtë botë nuk është asgjë tjetër përveç lojë dhe argëtim, edhe zbukurim, edhe lavdërim reciprok dhe garë me pasuri dhe numër të fëmijëve! Shembull për këtë është bimësia, rritja e cilës pas shiut i kënaq jobesimtarët, ajo mandej gëlon, por më pas e shikon të zverdhur, që në fund të thyhet. Kurse në botën tjetër ka vuajtje të rëndë por edhe falje dhe kënaqësi të Allahut; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi mashtruese."[1]
Të lumtur kanë qenë Bilalli (Allahu qoftë i kënaqur me të), Selmani (Allahu qoftë i kënaqur me të), dhe Amari (Allahu qoftë i kënaqur me të). Bilalli me zërin e tij ka përhapur të Vërtetën, Selmani të bënte për vete me sinqeritetin, kurse Amari me besnikërinë e vet.
"Ja, prej të tillëve Ne veprat e mira, të cilat i kanë kryer, do t’i pranojmë, kurse do t`i kalojmë mbi veprat e këqija të tyre; ata do të jenë nga banuesit e Xhenetit, premtimi i vërtetë që u është dhënë do ta përmbushim."[2]