Dijetari El-Iskafi e ka shkruar një libër të jashtëzakonshëm, me titull Masa e mirësisë, ky libër është përplot urtësi dhe dobi të ndryshme. Në të autori shkruan për lumturinë, udhëheqjen dhe gëzimin. Në të janë theksuar shumë shembuj të njerëzve që e kanë kërkuar lumturinë dhe si e kanë gjetur atë. Ai flet për njerëz të zakonshëm, mbretër, tregtarë, luftëtarë, poetë dhe shumë personalitete të tjera të historisë së njerëzimit.
Pasi shfletova shumë faqe të këtij libri në të cilat përshkruhen aventura luftarake, hulumtime shkencore, ndërmarrje shtetërore, fate të çuditshme njerëzish dhe kështu me radhë, e kuptova se të gjithë njerëzit e kërkojnë lumturinë dhe prehjen, por janë të pakët ata që e dinë ta bëjnë këtë në mënyrë të drejtë dhe se pak njerëz dinë ta realizojë lumturinë.
Ky libër më dhuroi tri njohuri jashtëzakonisht të vlefshme.
E para është se ai që nuk e ka të gjykuar këtë, nuk mund ta arrijë lumturinë dhe kënaqësinë.
"Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar."[1]
E dyta është se shumë njerëz synojnë lumturinë ta arrijnë në mënyrë të ndaluar dhe të paligjshme. Megjithatë, lumturia mund të arrihet vetëm në mënyrë të mirë siç e ka përcaktuar feja.
"Sikur do të dëgjonin dhe të vepronin siç ishin të udhëzuar, kjo do të ishte më e dobishme për ta."[2]
Në këtë mënyrë i arrijnë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
E treta është se shumë njerëz pandehin që kanë bërë jashtëzakonisht shumë dhe kanë arritur sukses, por kjo është vetëm mashtrim. Edhe nëse njeriu arrin gjithçka, nëse nuk është besimtar i Allahut dhe i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kjo nuk do t`i sjell kurrfarë dobie.
"E fjalët e Zotit tënd i përmbushin drejt dhe me sinqeritet. Fjalët e Tij nuk ndryshojnë kurrë."[3]
Një ministër, i cili pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në luks, ka deklaruar:
Nëse vdekja shitet, lirisht blije,
ngase kjo jetë nuk vlen gjë.
Kur nga larg shikoj varrin,
dëshiroj të jem mysafiri i parë i tij.
Ngase aty është jeta e vërtetë
dhe gëzimi i vërtetë.