Besimtarët duhet të jenë të lumtur dhe të qetë ngase e kanë Zotin, të Drejtin, i Cili kujdeset për robërit e Vet dhe i Cili nuk i bën askujt të padrejtë. Ai e ka futur në Xhenet një femër vetëm ngase ishte treguar e mëshirshme ndaj një qeni, kurse një tjetër e kishte flakur në Xhehenem ngase e kishte torturuar një mace.
Femra e parë ishte nga Benu Israilët dhe njihej me vepra të këqija. Një ditë me vapë e kishte vërejtur një qen të etur, iu dhimbs dhe i dha ujë. Për këtë Allahu ia fali mëkatet dhe e futi në Xhenet për shkak të veprës së sinqertë që e kishte kryer.
Gruaja tjetër ishte shumë shpirtkeqe. Ajo e kishte mbyllur macen në dhomë dhe nuk i jepte as ushqim e as ujë, kështu macja ngordhi në vuajtje të rënda. Për këtë akt zemërkeqja u gjykua me vuajtje të përhershme në Xhehenem.
Këto fakte e lumturojnë besimtarin e vërtetë, ngase ai e kupton se Allahu shpërblen për një vepër të vogël, por të sinqertë, kurse keqbërësve ua kthen me masë të njëjtë.
"Veprat e mira i shlyejnë të këqijat."[1]
"Andaj, kush e kryen qoftë një grimë mirësi – do ta shohë atë. Kush kryen një grimë të keqe – do ta shohë atë."[2]
Ndihmoje dikë në nevojë, largoja vuajtjen dikujt, jepi skamnorit, ndihmoje të përvuajturin, ushqeje të uriturin, shuaja etjen të eturit, vizito të sëmurin, prezanto në xhenaze, ndihmoje të verbrin, tregoja rrugën të humburit, gostite udhëtarin, kryeje ndonjë të mirë ndaj fqinjit, respekto të moshuarin, ki mëshirë ndaj të riut, ndajë nga ushqimi yt për të tjerët, ndihmo të tjerët me paratë tuaja, thuaja dikujt një fjalë të mirë dhe ke kryer një të mirë të madhe për vete dhe për të tjerët.
Këto atribute dhe virtyte të bukura duhet ta stolisin çdo besimtar, ato premtojnë jetë të lumtur dhe të qetë, dëbim të shqetësimit, të mjerimit, të ankthit dhe të dëshpërimit, si dhe shpërblim në botën e amshuar.